image Frigoriferët e rinj s’ishin në funksion kur u zhdukën mostrat e Deharit? MD refuzon të japë datën e saktë

Ekskluzive

Frigoriferët e rinj s’ishin në funksion kur u zhdukën mostrat e Deharit? MD refuzon të japë datën e saktë

news image

Akti i zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të VV-së, tashmë i ndjerë, Astrit Dehari, nga Laboratori i Toksikologjisë në IML u raportua se është vërejtur gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj. Kështu kishte deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme, më 8 dhjetor 2022. Lajmi u dha, mirëpo nuk dihet koha se kur mostrat ishin zhdukur pa i parë askush dhe pa mbetur asnjë gjurmë si pistë hetimi. Frigoriferët e rinj u futën në këtë mes si arsyetim, por për këtë çështja MD-ja ka refuzuar të japë detaje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka informacione se mostrat e Deharit nuk janë zhdukur gjatë bartjes së mostrave pasi frigoriferët e rinj nuk kanë qenë të funksionalizuar në atë kohë dhe se ky proces ka ndodhur një muaj pasi janë kthyer në punë zyrtarët e IML-së të suspenduar pikërisht për këtë çështje.

Një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë, por as nuk e kanë mohuar, pasi Gazeta Sinjali ka kërkuar përgjigje edhe nga MD, por edhe nga IML-ja se cila është data e saktë kur janë futur në rrymë frigoriferët e rinj.

Në përgjigjen e MD-së thuhet se deklarata e Haxhiut e dhënë në konferencën e 8 dhjetorit lidhet me njoftimin që e ka marrë nga zyrtarët përgjegjës për këtë çështje dhe “nuk mund të deklarohen më tepër”.

“Në raport më këtë çështje, deklarata e Ministres Haxhiu përkon me njoftimin që ministrja ka marrë nga zyrtaret përgjegjës, më të cilën poashtu janë njoftuar organet përgjegjëse të policisë dhe prokurorisë. Rasti është në procedurë hetimi dhe trajtimi nga Prokuroria e Shtetit ku ministrja poashtu ka dhënë dëshminë e saj. Lidhur me çështjen e tillë, nuk mund të deklarohemi me tepër. Për çdo pyetje dhe informatë, luteni t’i drejtoheni prokurorisë.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Haxhiut.

Përkundër që pyetjet janë dërguar edhe në e-mail adresën e IML-së dhe të UD të drejtorit të përgjithshëm, Ditor Haliti, Sinjali e ka telefonuar të njëjtin plot herë qe më shumë se një javë për të marrë një deklaratë, por ai s’është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Në deklaratën e Haxhiut për lajmin skandaloz për zhdukjen e provave në Institutin që e ka në menaxhim, thuhej se bartja e epruvetave me mostra ka bërë të mundur që zyrtarët të vërejnë se disa prej tyre mungojnë.

“Jam njoftuar nga udhëheqja e Departamentit të Laboratorit të toksikologjisë se dje kur kanë qenë duke i bartur mostrat nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, e kanë parë, janë bazuar në lëndët që i kanë pasur më të vjetra, 2014-2014-2016 janë marrë dosjet, rastet janë aty me kod, kur e kanë pa kodin dhe kanë shkuar në databazë, ka përkuar me rastin Dehari. Sot mu tha që dikush që nuk është brenda, është e vështirë të kuptohet ku janë dosjet sepse ruhet në mënyrë shumë profesionale, nuk është e lehtë të kuptohet bash dosja e kujt ku është. Mënyra si sistemohen ato është goxha komplekse me bë dikush jashtë pa ndihmën e personave zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”. – kishte thënë ajo më 8 dhjetor 2022.

E gjithë kjo dramë u përcoll me reagime të shumta, si dhe hetimet lidhur me rastin i nisi Prokuroria Speciale  e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të masave ndëshkuese, MD pezulloi nga puna katër zyrtarët e institutit, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, një toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, një teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe një kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore, të cilin u kthyen sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.

Kujtojmë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sa ishte në opozitë, kishte thënë se rasti i Astrit Deharit do të ishte prioriteti i qeverisë së Albin Kurtit.

/GazetaSinjali/