image Francë: Mbi 2 mijë persona marrin pjesë në një ndejë, intervenon policia

Evropë

Francë: Mbi 2 mijë persona marrin pjesë në një ndejë, intervenon policia

news image

Policia e Francës e ka ndërprerë një ndejë të madhe të shtunën në veriperëndim të Francës që ishte duke u zhvilluar që prej natës së Vitit të Ri, pavarësisht kufizimeve të vendosura kundër koronavirusit, që ndalon mbajtjen e ngjarjeve me shumë njerëz.

Rreth 2 mijë e 500 persona kishin marrë pjesë në këtë ndejë që u mbajt në një depo të papërdorur në Lieuron, afër Rennes.
Disa nga pjesëmarrësit madje ishin përplasur edhe me policinë, kanë bërë të ditur autoritetet e rendit.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha në Twitter se pjesëmarrësit në këtë ngjarje janë gjobitur, ndërkaq organizatorët e kësaj feste janë duke u identifikuar dhe ndaj tyre do të nisin procedura gjyqësore.

Pjesëmarrësit janë gjobitur për shkelje të orës policore dhe për mosmbajtje të maskës. Autoritetet lokale i kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në këtë ndejë që të izolohen për shtatë ditë.

Prokurorët në Rennes kanë nisur hetimet për organizim të paligjshëm të ngjarjes muzikore dhe për veprën “dhunë ndaj personave zyrtar”, thanë autoritetet.

Gjatë përleshjeve me policinë, një veturë e policisë u dogj dhe tri të tjera u dëmtuan. Pjesëmarrësit në këtë ndejë kanë hedhur shishe dhe gur në drejtim të policisë dhe disa policë kanë marrë lëndime të lehta trupore.

Me numrin më të lartë të rasteve me sëmundjen COVID-19 (që e shkakton koronavirusi) në Evropën Perëndimore, Franca po ashpërson masat kundër virusit. Në këtë shtet, në 15 qytete është vendosur ora policore që nisë nga ora 18:00 dhe jo nga 20:00 siç ishte në fuqi më herët.

Deri më tani, Franca ka qenë dy herë në izolim mbarëkombëtar. Masat e izolimit u lehtësuan në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, por është e paqartë se kur baret e restorantet do të rihapen.

/GazetaSinjali/