image Fotoja me armë në dorë e fut në telashe, Policia i bastis shtëpinë 34-vjeçarit në Mitrovicë

Siguri

Fotoja me armë në dorë e fut në telashe, Policia i bastis shtëpinë 34-vjeçarit në Mitrovicë

news image

Një fotografi e publikuar, ku një person shfaqej duke mbajtur armë në dorë, ka nxitur reagimin e Policisë së Kosovës, e cila ka kryer bastisje në shtëpinë e tij në Mitrovicë, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Fitim Latifin, 34-vjeçar, për të cilin Policia kishte pranuar informacion nga një qytetare, e cila kishte dorëzuar edhe fotografinë ku ai shfaqej me armë.

Pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, njësia e hetimeve ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar një karikator i zbrazët i armës së gjatë, dy karikatorë të zbrazët të armës së shkurtër dhe një fishek i kalibrit 7.62 mm, të cilat janë marrë si prova materiale.

Pas intervistimit, ndaj Fitim Latifit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ai është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/