Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar sot takime konsultative me përfaqësuesit e partive politike të komuniteteve joshumicë në vend, në kuadër të procesit për formimin e qeverisë së re, shkruan Gazeta Sinjali.
Fillimisht, Kurti u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi, dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Më pas, ai priti në takim edhe kryetarin e Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi.
Takimi me Krasniqin ishte pjesë e këtyre konsultimeve, ku mori pjesë edhe deputeti dhe anëtari i IRDK-së, Fridon Lala.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Krasniqi ka shprehur mbështetjen e tij për një mandat të ri të Kurtit.
“Kryetari i IRDK-së, Elbert Krasniqi, konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm, si dhe mbështetjen ndaj kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re”, thuhet në njoftim.