image Formalizohet Komiteti i Përbashkët BE-Kosovë për Kërkim dhe Inovacion

Arsim

Formalizohet Komiteti i Përbashkët BE-Kosovë për Kërkim dhe Inovacion

news image

Ministrja e Arsimit pas aderimit të suksesshëm të Republikës së Kosovës në programin kyç shkencor të Bashkimit Europian – Horizon Europe, formalizoi edhe Komitetin e Përbashkët BE-Kosovë për Kërkim dhe Inovacion, raporton Gazeta Sinjali.

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, njofton se ky komitet do të përcjellë zbatimin e programit ‘Horizon Europe’ në Kosovë, teksa do të ofrojë mundësi që të diskutohen nga afër zhvillimet e fundit në mënyrë që të shfrytëzohen sa më shumë përfitimet që sjellë ky program evropian.

Kosova ishte nikoqire e takimit të parë, i cili u bashkë-kryesua nga zëvendësministrja e Arsimit, Dr. Edona Maloku Bërdyna dhe  Ruta Zarnauskaite, shefe e njësisë në drejtorinë e përgjithshme të kërkimit dhe inovacionit (DG R&I).

“Deri tani, 5 projekte nga Kosova kanë qenë përfituese të programit Horizon Europe në shumë totale prej 572,357 euro.  Me strukturat që po ngrisim, presim që numri i përfituesve nga Kosova të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, tha ministrja Nagavci.

/GazetaSinjali/