image “Foli shqip me homologun spanjoll”, opozita maqedonase kërkon dorëheqjen e ministrit të Jashtëm

Rajon

“Foli shqip me homologun spanjoll”, opozita maqedonase kërkon dorëheqjen e ministrit të Jashtëm

news image

VMRO-DPMNE dhe Ministria e Punëve të Jashtme janë përplasur ashpër sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në takimet zyrtare.

Partia opozitare i bëri thirrje ministrit Bujar Osmani që të japë dorëheqje, pasi në takimin e fundit me kolegun spanjoll, e ka përdorur vetëm gjuhën shqipe. VMRO-DPMNE kërkon edhe përgjegjësi penale për Osmanin, pasi sipas tyre, ka dëmtuar reputacionin e shtetit.

“Nga takimi zyrtar i Osmanit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës përmes konferencës për media, shihet qartë se Osmani përdor vetëm gjuhën shqipe, edhe pse është e qartë se cila është gjuha zyrtare e Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar e përcaktuar me Kushtetutë. Kjo sjellje është shkelje e Kushtetutës së vendit, por edhe e vetë Marrëveshjes kornizë”- deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Maria Miteva, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm dhe ngarkimin me përgjegjësi penale të tij.“Kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, organet kompetente menjëherë të ngrejnë procedurë dhe përfundimisht në Maqedoni të ngrihet procedurë adekuate për vepra që cenojnë imazhin e vendit. Osmani të dorëhiqet nga pozita Ministër i Jashtëm dhe është më e pakta që mund ta bëjë pas këtij veprimi joshtetërore dhe nënçmues për qytetarët e Maqedonisë”- tha Miteva.

VMRO-DPMNE thotë se qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nisë ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme maqedonase i mohon akuzat e opozitës, duke theksuar se megjithëse janë Pashkët, VMRO-DPMNE-ja nuk heziton të krijojë tensione dhe ndarje etnike në shoqëri përmes përdorimit të gënjeshtrave dhe fakteve të sajuara.

Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut i kërkuan VMRO-DPMNE-së të kërkojë falje dhe theksuan se përdorimi i gjuhëve zyrtare në vend është çështje e rregulluar me ligj dhe nuk duhet të jetë subjekt i kalkulimit politik.

Shqiptarët janë grupi i dytë më i madh etnik në Maqedoninë e Veriut. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është 509,083 banorë, që përfaqëson rreth 25% të popullsisë. Shqiptaret jetojnë kryesisht në pjesët veriperëndimore dhe perëndimore të vendit. Numri më i madh i shqiptarëve jeton në komunat: Tetovë (70%), Gostivar (82%), Dibër (58%), Strugë (57%), Kërçovë (55%), Kumanovë (30%) dhe Shkup (60%).

/GazetaSinjali/