Shpend Maxhuni dha sot dorëheqje nga pozita e shefit të Agjencisë së Intelegjencës së Kosovës, pas mbi një vit e gjysmë shërbimi si kryespiun i Kosovës.
Ai ishte emëruar në pozitën e drejtorit të AKI-së më 20 prill të vitit 2018 pas skandalit të deportimit të Gylenistëve, ndërsa mandatin e tij nuk arriti ta çoj deri në fund mandatin pesë vjeçar. Deri në atë kohë, Maxhuni ishte drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për një periudhë shtatëvjecare.
Avancimi i Shpend Maxhunit në pozitën e shefit të AKI-së, kishte befasuar shumëkë pasi emri i tij, përfolej si një nga zyrtarët e lartë përgjegjës për skandalin e depërtimit të gylenistëve që u kritikua që nga kryeministri, kryetari i Kuvendit, partitë politike opozitare, mediet dhe shoqëria civile.
Përmes presionit publik kërkohej që Shpend Maxhuni të shkarkohej nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës bashkë me ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e AKI- së, Driton Gashi.
Këta dy të fundit u shkarkuan, por Shpend Maxhuni, njeriu që nga opozita u kritikua si person i Hashim Thaçit, jo vetëm që nuk u shkarkua por shpërblye me një post të ri më të lartë, atë të shefit të AKI-së.
Maxhuni si shef i Policisë së Kosovës
Pas shkarkimit të Reshat Maliqit nga drejtori i përgjithshëm i policisë në fundvitin 2011 në skenë doli emri i zëvendësdrejtorit të atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Me vendim të ish kryeministrit Hashim Thaçi, Shpend Maxhuni u emërua Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, në tetor të vitit 2011 për një periudhë 3 vjeçare ndërsa këtë detyrë e kishte mbajtur për 7 vjet.
Maxhuni deri në emërimin në këtë pozitë ishte zëvendës i zëvendësdrejtorit për operativë në Policinë e Kosovës ndërsa pjesë e policisë ishte prej vitit 1999.
Gjatë udhëheqjes së tij, Policia e Kosovës ishte përshkuar me afera e skandale të ndryshme.
Në mandatin e tij ishin vjedhur hiç më pak se 25,3 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë, një krim ky që nuk ishte ndriçuar asnjëherë.
Ai ka qenë njeriu kryesor në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në veri më 25 korrik 2011 ku kishte mbetur i vrarë polici, Enver Zymberi.
Shpend Maxhuni përmendet edhe në aferën Pronto 2. Sipas raportimeve të medieve, në këto përgjime Grabovci zbulohej duke i dhënë listë me emra njerëzish, drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni për punësim në këtë institucion.
Opozita, në veçanti Lëvizja Vetëvendosje, e akuzonte si ‘njeri të Thaçit’. Para arrestimit të Gjuriqit, Maxhuni kishte qenë pikërisht në presidencë dhe ishte takuar me presidentin Thaçi.
Largimi i tij nga posti i drejtuesit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës organit më të lartë të sigurisë në vend, vjen pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, ku fituese doli Lëvzija Vetëvendosje. Maxhuni nuk priti formimin e Qeverisë së re të Albin Kurtit por ia ofrojë dorëheqjen kryeministrit në largim Ramush Haradinaj.
Pavarësisht të kaluarës kontroverse, Kryeministri në largim Ramush Haradinaj njoftoi sot se në shenjë mirënjohje e ka dekoruar Shpend Maxhunin me Medaljen e Skënderbeut me motivacionin për profesionalizëm dhe besnikëri në shërbim ndaj atdheut. /Gazeta Sinjali/