Qarkullimi në pikat kufitare të Kosovës vazhdon të zhvillohet pa probleme të theksuara, pavarësisht shtimit gradual të numrit të mërgimtarëve që po vijnë për pushimet verore.
Sipas të dhënave më të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, situata paraqitet e qetë në pothuajse të gjitha vendkalimet kufitare, ku qytetarët po kalojnë me pritje minimale si në hyrje ashtu edhe në dalje nga vendi.
Në pikat kufitare të Merdarës, Vërmicës, Qafës së Morinës, Qafës së Prushit, Kullës dhe vendkalimeve të tjera, koha e pritjes varion nga 3 deri në 5 minuta, duke mundësuar lëvizje të shpejtë të automjeteve dhe udhëtarëve.
Ndërkohë, Hani i Elezit mbetet pika me ngarkesën më të madhe, ku në hyrje janë regjistruar pritje deri në 15 minuta, ndërsa në dalje qarkullimi vazhdon normalisht me pritje prej vetëm disa minutash.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në pikat kufitare para nisjes së udhëtimit, pasi fluksi i automjeteve mund të ndryshojë gjatë ditës për shkak të ardhjes së mërgimtarëve dhe sezonit të verës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!