Gazeta Sinjali pak më parë publikoi pamje skandaloze që shfaqin dhunën brutale të disa zyrtarëve policorë, e cila dyshohet se ka ndodhur më 25 janar në qendër të Prishtinës.
Viktimë e kësaj dhune ishin dy të rinj të cilët duke u grushtuar e shkelmuar u dërguan në stacionin policor “Qendra” dhe u mbajtën 48 orë në ndalim.
Sinjali ka kontaktuar me dëshmitarin kryesor, Luaras Mehën, i cili rrëfeu gjithë ngjarjen që ndodhi më 25 janar, i cili po ashtu dyshohet se kundërligjshëm u dërgua në stacion policor dhe u ndalua për 48 orë.
Meha ka thënë për Sinjalin se e gjithë ngjarja nisi pak para orës së caktuar për të punuar gastronomia, ku derisa dy personat që u keqtrajtuan nga policia ishin duke dalë nga lokali, afrohet njëri nga zyrtarët policorë dhe fillon ta zvarritë njërin prej tyre.
“Rreth orës 20:50, derisa ata të dy ishin duke dalë nga lokali, njëri nga ta më thotë diçka, veç kur e kemi pa se u afrua një zyrtar policor dhe filloi ta ngreh zhag njërin nga ta para të gjithëve. Ndonëse jam munduar që situatën ta qetësoj, ata e larguan nga lokali atë person dhe filluan ta rrahin shumë”, thotë Meha për Sinjalin.
Por ngjarja nuk mbaroi këtu, Meha tutje rrëfen se të njëjtit u dërguan në stacion policor duke ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, dhunë kjo e cila vazhdoi edhe brenda stacionit.
Madje sipas Mehës, zyrtarët policorë u munduan të kamuflonin keqtrajtimin ndaj qytetarëve duke pretenduar se ata u sulman dhe për ta “provuar” këtë ata grisën këmishat e tyre.
“Ndaj tyre kanë ushtruar dhunë edhe rrugës edhe në stacion policor. Kur kanë shkuar në stacion, policët i kanë grisur këmishat, kinse janë rrahur nga personat që i rrahën vetë ata. Pra këtu shihet se ky rast është i montuar”, theksoi Meha për Sinjalin.
Tutje Meha tregon për ngjarjet që ndodhën brenda stacionit policor, ku veprimet e zyrtarëve policorë i quajti “sjellje të kafshëve”.
“Unë jam dërguar në stacion si i dyshuar se i kam penguar personat zyrtarë. Kur kam shkuar në stacion, kam parë sjellje të kafshëve nga policët, deri në atë pikë sa më kanë sharë e më kanë ofendu. Më pas më dërguan 48 orë në ndalim policor, në një bodrum që nuk do të dëshiroja ta provonte askush”, rrëfen ai për Sinjalin.
Meha thotë se pavarësisht të gjitha ngjarjeve, ai vazhdon ta respektojë shtetin e Kosovës, pasi që sipas tij për 15 vite punë në gastronomi, asnjëherë nuk pati vërejtje ndaj tij.