image Flet për Sinjalin baxhanaku i policit Naim Krasniqi, jep detaje për keqtrajtimin e tij në stacion policor

Siguri

Flet për Sinjalin baxhanaku i policit Naim Krasniqi, jep detaje për keqtrajtimin e tij në stacion policor

news image

Gazeta Sinjali raportoi më parë se polici nga Lipjani që është arrestuar nga Inspektorati Policor, Naim Krasniqi, kishte keqtrajtuar tre persona me arsyetimin se ata ia kishin ngacmuar gruan e tij.

Sinjali ka arritur të kontaktojë me njërin nga viktimat që dyshohet se është keqtrajtuar nga Krasniqi.

B.B (emër i njohur për redaksinë), i cili sipas burimeve të Sinjalit është baxhanak i policit Krasniqi, në një prononcim për Gazetën Sinjali deklaroi se e kanë marrë nga shtëpia dhe e kanë çuar në stacion policor, teksa pas disa kohësh i kanë kërkuar falje pasi që sipas tij e kanë rrahur gabimisht.

“Unë jam kanë në shpi t’u nejt me familje. Më kanë ardhë policia te dera e se je i arrestuar dhe që duhet me ardhë në stacion. Më kanë marrë, jam shku në stacion edhe në momentin që jam ulë në karrigë, ja kanë nis me më sulmu. Kur më kanë rreh pas disa kohëve më kanë thënë që gabimisht se një djalë e ka pranu ni vepër që dmth e ka nguc një grua të një zyrtari policor”, ka thënë ai.

Sipas tij, një person tjetër më pas i ka thënë se ka qenë i detyruar ta pranojë fajin për rastin e ngacmimit të gruas së policit.

“Personi që e ka pranu fajin e njoh, ai është Sh.R (emër i njohur për redaksinë) që e ka pranu rastin edhe ka thënë që e kam pranu po se kam nguc unë, po qaq shumë që më kanë maltretu unë është dashtë me thanë që e kam qel xhamin dhe ja kam fol një fjalë një gruaje. Ka thënë që është detyru për shkak të maltretimit nga policia e Lipjanit”, ka shtuar ai.

Nga rrëfimi i viktimës, rezulton se përveç se ata janë keqtrajtuar nga zyrtari policor për motive personale, ky i fundit ka keqpërdorur autorizimet e tij duke bërë vetgjyqësi për ngacmimin e gruas së tij. /Gazeta Sinjali/