Alert Drishti, mjeku i cili kishte pritur tre pacientët nga Gjilani të cilët ndërruan jetë si pasojë e helmimit pasi konsumuan kërpudha ka deklaruar se ata kishin shkuar në gjendje të rëndë nga spitali i Durrësit.
Drishti shprehet se të tre pacientët ishin në fazën e tretë kur veshka dhe mëlçia e tyre kishte dalë jashtë funksionit.
“Silen nga spitali i Durrësit me ambulancë me ne. Menjëherë u konstatua se kishin një gjendje të rëndë. Pacientët ishin në fazën e tretë të toksikacionit nga kërpudha. U filluar mjekimi. U morën analiza. U konstatuan se ata ishin në gjendje të rëndë. Ishin në fazën e tretë. Kjo kërpudhe kur hahet dhe konsumohet pacienti nuk shfaq shenja për 6 orë. Pastaj deri në 24 orë kemi periudhën e dytë. Pacient vjen me diarre dhe të vjella”, tha mjeku.
Sipas tij, pacienti nuk shfaq shenja të helmimit pas konsumimit të kërpudhës deri në 6 orë më vonë dhe më pas deri në 24 orë futen në fazën e dytë të helmimit që dëmton organet e tyre.
“Faza e tretë është 24 orë deri në tre ditë. Kemi fazën e mëlçisë dhe veshkës. Pacientët erdhën pikërisht në këtë fazë kur mëlçia dhe veshka kishin dalë nga funksioni. Edhe pacientët që trajtohen që në fillesë progonze e tyre mund të jetë fatale. Pacientët erdhën në ditën e tretë. 5 orë kanë qëndruar në Urgjencë dhe toksikologji dhe më pas janë transferuar në reanimacion. E moshuara ishte me problem zemre dhe vdiq e para. Ajo ka qëndruar rreth 7 orë në QSUT. Më pas humbi jetën i biri dhe më vonë nusja”, u shpreh mjeku./Gazeta Sinjali/