Baftjar Çelaj, babi i 26-vjeçarit, Indrit Çelaj i cili u vra dje nga djemtë e pronarit të vilës ku po rregullonte kondicionerin në Tiranë, ka folur për humbjen e madhe të të birit.
Ai konfirmoi se djali ishte në punë dhe se punonte me kondicionerë, pasi ai kishte përfunduar shkollën për elektrike. Mes lotëve ai është shprehur se kjo që i ndodhi atij, të mos i ndodhë askujt. Ndërsa lajmin për humbjen e djalit e ka marrë nga mediat rreth orës 19:00 të ditës së djeshme ndërkohë që ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit. Kjo është fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur, është fatkeqësi. E kam marrë vesh nga gazetat. Çuni është vrarë në 11 paradite e unë e mora vesh në orën 7 në darkë se i kishin marrë edhe dokumentet. Çunin e kishte marrë Policia. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët”.
“Asnjë konflikt nuk ka pasur djali, ka qenë i kulturuar dhe i sjellshëm. Rrallë gjen djalë si ai , nuk dinte të ofendonte, ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Kur vajta në spital vetëm kam mbajtur veten. Sikur të kisha fuqi nuk dija se çfarë mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua?”, ka thënë ai.