Dhjetë kosovarë kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00, në Slovenski Brod, në Kroaci, në të cilin ka qenë i përfshirë një autobus nga Kosova, raporton Gazeta Sinjali.
Në mesin e viktimave nga kompania “Deva Tours”, e kanë konfirmuar për Sinjalin se është edhe njëri nga shoferët.
Sinjali mëson se ai është Naser Sylmetaj i cili është nga Grecina e Hasit, Komuna e Gjakovës.
Djali i axhës së tij ka thënë se lajmin për vdekjen e familjarit të tyre e kanë marrë nga agjencioni ‘Deva Tours’, ndërsa përmes burimeve zyrtare ende jo.
“Lajmin e kemi marrë nga agjensioni. Për Naserin na kanë njoftuar që është në mesin e të vdekurve, por jo nga burime zyrtare por vetëm nga agjensioni. Por, ne kemi hapur të pamen prej ditës së sotme”, tha ai në RTK.
“Naseri ka qenë shofer me përvojë të gjatë dhe ka vozitur në disa agjensione. Sikur të kish qenë ai duke vozitur, nuk do të kishte ndodhur ky rast, por ka ndodhur dhe ju shprehim ngushëllime të gjithëve”, ka nënvizuar djali i axhës së të ndjerit.
Ai apeloi në fund tek mediat që të jenë më të kujdesshme dhe më të vëmendshme në rastet e tilla, pasi po krijojnë huti dhe dhimbje më të mëdha tek familjet./Gazeta Sinjali/