image Flasin nga prokuroria për shqiptarin e arrestuar, që dyshohet për masakrën e Izbicës

Drejtësi

Flasin nga prokuroria për shqiptarin e arrestuar, që dyshohet për masakrën e Izbicës

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është dërguar në mbajtje M.A., i cili është arrestuar nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se M.A., shtetas i Serbisë dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se është ndaluar një (1) person me inicialet M.A., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, në shkelje të nenit 142 të Kodit Penal të ish RSFJ si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, po ashtu e dënueshme edhe me nenin 146 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se M.A. i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohet se ka marr pjesë në masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë”, bëhet e ditur në njoftim.

Të dielën e 23 marsit janë bërë 22 vjet prej kur forcat serbe vranë e masakruan mbi 150 kosovarë në fshatin Izbicë.

/GazetaSinjali/