image Flasin mjekët që janë pjesë e personelit të vetizoluar në Viti

Kosovë

Shëndetësi/ Flasin mjekët që janë pjesë e personelit të vetizoluar në Viti

news image

Asnjë zyrtar nga Qeveria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk ka ardhur për ta testuar grupin e personelit shëndetësor të vetizoluar në Viti, është bërë e ditur nga ky grup, ndërkohë që drejtori i IKSHPK-së ka thënë se ata do të testohen kur të vijë koha.

“Nuk mund të testohen të gjithë”, ka thënë Ramadani, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth shqetësimeve të ngritura nga ky grup dhe duke shtuar se “duhet pritur të paktën katërmbëdhjetë ditë, me u shfaq simptomat e para”.

Dr. Dardane Xhemajli, pjesë e personelit shëndetësor të vetizoluar në Viti ka treguar për faktin e mostestimit të këtij grupi, duke folur edhe për kushtet e rënda me të cilat po përballen ata.

Ajo i është referuar konferencës së jashtëzakonshme për medie të Ministrit të Shëndetësisë, Bujar Vitia dhe drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani me ç’rast është thënë se “për hir të situatës që është krijuar, janë testuar edhe 45 persona tjerë”.

“Çdo vetizolim dhe çdo veprim e kemi bërë vullnetarisht, me përkrahje të komunës së Vitisë”, ka thënë Xhemajli, pjesë e personelit shëndetësor nga Vitia.

Ajo ka treguar për kushtet e rënda me të cilat po përballet stafi shëndetësor i kësaj qendre në Viti.

“Kushtet ku jemi duke qëndruar janë minimale, katër persona jemi duke e ndarë shtratin për një person”, ka thënë ajo, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se Komuna e Vitisë është përkujdesur për ushqim, mjete higjienike dhe çdo nevojë tjetër të stafit mjekësor.

“Por, testimi nuk mund të bëhet nga komuna”, ka thënë ajo. “Dje na kanë thënë që mundemi me shku në shtëpi me vazhdu karantinën, e sot kanë thënë që të mos e ndërrojmë lokacionin”, ka shtuar Xhemajli.

Stafi shëndetësor i vetizoluar në Viti është duke qëndruar në objektin e QKMF në këtë qytet, në katin e tretë, reparti i Gjinekologjisë, raporton Koha.

Dje në Viti u konfirmua rasti i parë me koronavirus në Kosovë. Deri tash numri ka arritur në tre të infektuar. /Gazeta Sinjali/