Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve të hënën në të njëjtën pjesë të Pensilvanisë, afërsisht në të njëjtën kohë, duke kaluar ditën e fundit të fushatës presidenciale në një shtet që mund të jetë vendimtar në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Dy kandidatët mbajtën tubime elektorale në këndin juglindor të Pensilvanisë.
Trump bëri fushatë në Reding, rreth 48 kilometra larg qytetit të Allentaunit, ku demokratja Harris mbajti një fjalim rreth gjysmë ore më vonë.
“Fitorja në Pensilvani do të na jepte fitoren në zgjedhjet në të gjithë vendin”, tha Trump.
Në të vërtetë, një fitore e Trump në Pensilvani, një shtet me 19 vota në Kolegjin Elektoral, do të vështirësonte përpjekjen e Harris për të siguruar 270 votat e nevojshme për të fituar zgjedhjet presidenciale.
Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris e kaloi gjithë të hënën në Pensilvani, shteti i pavendosur me numrin më të madh të votave në Kolegjin Elektoral, duke theksuar nevojën për të fituar në këtë shtet.
“Ne kemi nevojë që të gjithë në Pensilvani të votojnë”, tha ajo.
“Vota juaj do të jetë vendimtare në këto zgjedhje.”
Harris vizitoi edhe qytetin e Skrantonit, vendlindjen e presidentit Joe Biden. Ajo mori pjesë në një tubim elektoral në Reding dhe mbylli fushatën në Filadelfia në orët e vona të natës në një tubim, ku ishin të pranishëm këngëtarja Lady Gaga dhe personaliteti i njohur televiziv Oprah Winfrey.
Trump shkoi fillimisht në Karolinën e Veriut përpara se të vizitonte qytetin Reding në Pensilvani.
Ai më pas shkoi në anën tjetër të Pensilvanisë, në qytetin e Pitsburgut, përpara se të mbyllte fushatën me një tubim elektoral në Grand Rapids të Miçiganit.
Trump ka mbajtur tubimin e tij të fundit elektoral në këtë qytet edhe në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2020, raporton VOA.