Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, mund të jetë në qendër të një lëvizjeje të madhe këtë verë, por dëshira e tij për të veshur fanellën e Barcelonës po e vonon një transferim të mundshëm te Borussia Dortmund.
Mediet gjermane raportuan javët e fundit se Dortmundi kishte arritur marrëveshje për transferimin e Asllanit, me klubin gjerman që ishte i gatshëm të aktivizonte klauzolën e lirimit të sulmuesit.
Megjithatë, sipas “Sport.es”, është vetë lojtari ai që ka ndalur përkohësisht negociatat, pasi ende shpreson për një ofertë nga Barcelona.
Klubi katalunas thuhet se po kërkon përforcime në repartin ofensiv, përveç interesimit për Julian Alvarez, veçanërisht në rast se Ferran Torres largohet drejt Paris Saint-Germain.
Sipas raportimit, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, e preferon Asllanin para sulmuesit serb Dusan Vlahovic. Megjithatë, fjala përfundimtare do t’i takojë trajnerit Hansi Flick.
“Opsioni i preferuar nga drejtori sportiv është Asllani, një lojtar që ka shkëlqyer në Bundesligë dhe ka një klauzolë lirimi prej 29 milionë eurosh”, thuhet në raport.
Ndërkohë, Dortmundi vazhdon ta kërkojë sulmuesin kosovar, por Asllani raportohet se po pret një mundësi për të realizuar ëndrrën e tij – transferimin te Barcelona.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!