Finalja e Kupës së Botës 2026 nuk do të jetë vetëm një përballje mes Argjentinës dhe Spanjës, por edhe një spektakël i madh jashtë fushës, me organizatorët që kanë përgatitur një ceremoni historike.
Ndeshja finale do të zhvillohet në stadiumin “MetLife”, i njohur nga FIFA si “New York/New Jersey Stadium”, me fillim nga ora 21:00 sipas kohës në Kosovë.
Para nisjes së sfidës, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një ceremoni madhështore me yje të muzikës dhe argëtimit. Jennifer Hudson pritet të interpretojë himnin kombëtar amerikan, ndërsa në skenë do të ngjiten edhe emra të njohur si Post Malone, Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe IShowSpeed.
Një nga risitë më të mëdha të kësaj finaleje është se për herë të parë në historinë e Kupës së Botës do të organizohet një spektakël muzikor gjatë pushimit mes dy pjesëve të ndeshjes.
Shfaqja, e kuruar nga Chris Martin i grupit Coldplay, do të jetë pjesë e një nisme në mbështetje të Fondit Global Citizen për Edukimin të FIFA-s. Në këtë performancë pritet të marrin pjesë disa yje botërorë të muzikës.
Organizatorët kanë premtuar një mbyllje spektakolare të një Botërori historik, ku futbolli, muzika dhe kultura do të bashkohen në një nga netët më të mëdha sportive të vitit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!