image Fillon zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat që eksportohen e importohen nga Kosova

Biznes

Fillon zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat që eksportohen e importohen nga Kosova

news image

Ministri i Financave Hekuran Murati, bashkë me ministren e Financave nga Shqipëria Delina Ibrahimaj dhe koordinatorin Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë Gentian Salaj, kanë marrë pjesë  në përurimin e zhdoganimit në Portin e Durrësit për mallrat që eksportohen dhe importohen nga Kosova.

Ministri Murati theksoi se Dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezentë në Portin e Durrësit por ka bërë vetëm regjistrimin për hyrjen e mallrave që kanë pasur për destinacion Kosovën pa pasur ndonjë ndikim të theksuar në kursimin e kohës apo kostos.

Ai tha se me përkushtimin, vendosmërinë dhe punën e vazhdueshme të të dyja ekipeve tash, është arritur që fillimisht nga data 1 shtator të pilotohet zhdoganimi i maunave ose karburanteve dhe nga data 1 tetor edhe zhdoganimi i plotë i të gjitha mallrave që kanë për destinacion Kosovën.

“Kjo ja mundëson Kosovës qasjen në det dhe ia lehtëson qasjen për në tregje globale eksportit që është në trend të rritjes së vazhdueshme. Marrë parasysh kohën që kursehet por edhe koston që arrinë diku në 2 milionë euro për biznese që bëjnë tregti konsiderojmë që kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Këtij procesi i shton vlerë edhe vendosja e kontrollit fito sanitar dhe veterinar përmes Agjencisë së Kosovës dhe Veterinës që janë vendosur këtu bashkë me Doganën e Kosovës”, tha Murati.

Ministri më tej theksoi se operimi me pagesa dhe kosto minimale në terminalin që kanë hapur në Mitrovicë tashmë, në hapësirat e Trepçës, por edhe atij në Podujevë, si dhe me evitimin e tarifave për hyrjet e mallrave nga Porti i Durrësit, bizneseve po ju jetësohet kërkesa për të hequr shpenzimet e panevojshme në mënyrë që ata të bëjnë biznes.

Murati shtoi se hapi tjetër do të jetë fillimi i zhdoganimit në terminalin Vërmicë-Morinë, në të cilin po punohet në rikthimin dhe zgjerimin e terminalit shtetëror dhe me të përfunduar punimet të gjitha shkëmbimet mes vendeve tona do të bëhen në një kohë më të shkurtër dhe pa kosto.

Ministri tha se grupet tona punuese po shikojnë mundësitë që të hiqen të gjitha barrierat dhe të gjitha burokracitë mes dy vendeve tona që të mos ketë më kurrfarë pengese doganore.

/GazetaSinjali/