Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur t’i verifikojë 4. 639 zarfe të ardhura nga diaspora.
Lajmin për verifikimin e zarfeve e kanë konfirmuar zyrtarë nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dijmë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara. Në fund, vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Gazetën Sinjali.
Kujtojmë se Gjykata Supreme ka aprovuar si të bazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të ndryshohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me të cilin ndalohej numërimi i 4. 639 zarfe me vota të ardhura me vonesë në Kosovë./Gazeta Sinjali/