image Fillon grumbullimi i plazmës së gjakut për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Shëndetësi

Fillon grumbullimi i plazmës së gjakut për trajtimin e pacientëve me COVID-19

news image

Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë filluar trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19 me plazmën konvalescente si një terapi mbështetëse, shkruan Gazeta Sinjali.

Infektologu në QKUK, Sali Ahmeti, ka njoftuar se kanë përfunduar të gjitha procedurat administrative për fillimin e dhënies së plazmës konvalescente.

“Transfuzioni i gjakut ka filluar grumbullimin e dozave të para. Me udhëzuesin tonë, këtë trajtim me plazmë konvalescente do ta aplikojmë te format e rënda të sëmundjes ose të format që kanë tendencë të përkeqësimit të shpejtë”, thotë Ahmeti për REL.

Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin.

Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), bëri të ditur se deri më tani kanë pasur vetëm tre dhurues të plazmës.

“Shpresojmë që në ditët në vijim të kemi më shumë doza të plazmës”, tha shkurt Zhubi për REL.

Infektologu Ahmeti tha se trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente mund të rezultojë me efekte të mira te pacientët që e marrin këtë trajtim në kohën e duhur.

“Do të bëjmë përvojat tonë të para, por duke iu referuar përvojave tjera disa nxjerrin efekte të mira e disa me efekte më të pakta. Sa më shpejt që jepet plazma, pritshmëria për efikasitetin e saj është më e madhe, pasi që kjo përmban antitrupa që e bëjnë neutralizimin e virusit në depërtimin e tij në receptorët e qelizave gjegjëse”, thekson Ahmeti./Gazeta Sinjali/