Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Naim Maloku, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kuadër të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Prokurori James Pace theksoi se gjatë luftës, Maloku ka shërbyer si anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe si epror ushtarak në Dukagjin.
Ai shtoi se dëshmitari do të japë informacione lidhur me rolin e tij dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK.
“Dëshmitari është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari Ë04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ë04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, ka theksuar Pace.
Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë.