Aktivisti i çështjeve kombëtare, Fehmi Berisha, ka kërcënuar mbrëmë publikisht komentatorin politik, Halil Matoshi, pasi ka thënë se diktatori Enver Hoxha ka qenë kryenacionalisti më i madh i të gjithë kohërave në historinë e Shqipërisë, raporton Gazeta Sinjali.
Në lidhje me këtë deklaratë, kanë filluar hetimet ndaj aktivistit për çështje kombëtare Fehmi Berisha që kërcënoi Halil Matoshin live.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi ka thënë se prokuroria ka nisur hetimet për deklaratën e Fehmi Berisha në një debat televiziv.
Aktivisti ndër të tjera tha se aq njerëz do t’i persekutonte në sheshet e Prishtinës.
‘Enver Hoxha ka qenë kryenacionalisti më i madh në historinë e Shqipërisë. Sali Berisha e ka dhënë shifrën 5 mijë e 680 të vrarë gjatë periudhës së sundimit të Enver Hoxhës. Unë aq për 24 orë sonte në Kosovë i kisha vjerrë në sheshin e Prishtinës”, u shpreh ai në Kanal 10.
“Dhunën sot e kini në Kosovë, degradimin. Sa vrasje janë bërë në Shqipëri e Kosovë, prej se ka vdekur Enver Hoxha. Për çdo ditë kemi vrasje monstruoze në Shqipëri”, shtoi ai.
Më pas i është kundërpërgjigjur Matoshi, i cili tha se ai do të duhej të arrestohej për një deklaratë të tillë.
“Unë jam prej atyre që e respektoj lirinë e shprehjes sepse kam vuajtur vetë për këtë. Një televizion me valë nacionale me u fol për vrasje në mënyrë të hapur nga një vend të lirë, sonte Prokuroria e çdo shteti do ta arrestonte këtë. Kjo është sekt apo besim politik. Për shkak të besimit të çmendur marrin jetë të njeriut. Thirrje e hapur për luftë civile e vrasje të njerëzve”, i tha Matoshi Berishës.
“Të parin do të kisha me vjerrë Halil Matoshin”, iu kundërpërgjigj Berisha me gjuhë kërcënuese gazetarit Matoshi.
Ky i fundit i tha atij “pushka top t’u boftë”.
Më pas, moderatori Kushtrim Sadiku ia ndërpreu fjalën Berishës për shkak të gjuhës së përdorur.