Komuna e Prishtinës ka filluar ndërtimin e shtigjeve të biçikletave nëpër lagjet e kryeqytetit, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmet i cili përmes një vidomesazhi njoftoi se ndërtimi i shtigjeve ka filluar sot në rrugën “Ilaz Kodra” që gjendet mes lagjeve “Dardania” dhe “Kalabria”.
“Gjendemi në rrugën “Ilaz Kodra”, në anën e djathë është Dardania, në anën e majtë është Kalabria dhe jemi në fazën e rikonstruktimit të rrugëve nëpër Prishtinë, e posaçërisht në Dardani. Por, kësaj radhe po e shfrytëzojmë këtë pandemi që ta bëjmë një kalim që është tepër i domosdoshëm për neve. Të zvogëlojmë numrin e makinave e në fakt ta rrisim numrin e çiklistëve dhe këmbësorëve. Siç po e shihni gjatë rikonstruktimit të kësaj rruge, ne po e ndërtojmë edhe shtegun e biçikletave i cili do të jetë dy metra i gjerë. Kjo është vetëm një prej rrugëve në rrjetin primar të shtigjeve që po e bëjmë në Komunën e Prishtinës. Prandaj, pas pandemisë shpresoj që të përdorini sa më shumë biçikleta e sa më pak kerre”, tha Ahmeti në një video-mesazh./Gazeta Sinjali/