COVID-19

Të infektuar

1158

Të shëruar

876

Të vdekur

30

Koronavirusi/ Filarmonia e Kosovës anulon koncertet e prillit, shtyhet paraqitja në Hungari

news image

Një prezantim i pastër kulturor, pa agjenda politike pas vetes, ishte konsideruar koncerti i Filarmonisë së Kosovës në Hungari, i paraparë të mbahej më 22 prill në sallën “Kodaly” në Pécs të Hungarisë, që cilësohet të jetë një prej sallave me akustikën më të mirë në Evropë.

Mirëpo, ky koncert me rëndësi të veçantë për institucionin më të lartë të muzikës në vend, që sivjet shënon 20-vjetorin e themelimit, është anuluar për shkak të pandemisë së virusit COVID-19. Biletat gati qenë shitur qysh në janar. Koncerti i 22 prillit është i treti me radhë që Filarmonia e anulon për shkak të koronavirusit.

Për KOHËN, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka bërë të ditur se përveç koncertit në Hungari kanë anuluar edhe koncertin e 19 prillit, që ishte paraparë të mbahej në Prishtinë. Fillimisht ky institucion kishte anuluar edhe koncertin e 29 marsit të Orkestrës së Filarmonisë së bashku me kuartetin italian “Quartetto di Cremona”, me Cristiano Gualcon e Paolo Andreolin në violinë, Simone Gramaglia në violë dhe Giovanni Scaglione në violonçel, që konsiderohen në mesin e më të mirëve të gjeneratës së tyre, sikurse dirigjenti Jacopo Brusa, shkruan KOHA.

Pesëshja e kishte të pamundur të vinte në Kosovë, pasi që Italia është vendosur në karantinë. Koncerti i Prishtinës i 19 prillit do të kishte pothuajse të njëjtin program si ai i 22 prillit në qytetin jugor hungarez. Jashari ka thënë se do të ishte si “provë gjenerale” para Hungarisë.

Publiku i këtyre dy koncerteve do të kishte pasur mundësinë që të dëgjonte ”Simfoninë nr. 5” të kompozitorit të njohur rus të periudhës së romantizmit, Pyotr Ilyich Tchaikovsky, “Simfoninë nr. 2” të kompozitorit të ri nga Kosova, Kreshnik Aliçkaj, dhe po ashtu “Concerto D’Aranjuez” të kompozitorit spanjoll Joaquin Rodrigo, ku solist do të ishte kitaristi Petrit Çeku.

Në Prishtinë, soliste ishte paraparë të ishte pianistja Artemida Qarri – Haxhiaj me “Koncertin për piano Nr. 2” nga Dmitri Shostakovich. Dirigjent për të dy koncertet ishte caktuar amerikani Gregory Charette.


Shpërndaje artikullin