Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka hapur dyert për futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë dhe zhvillojnë karrierën e tyre në diasporë, duke organizuar një kamp seleksionues me synimin për të identifikuar talentet që mund t’i bashkohen përfaqësueseve të Kosovës.
Përmes këtij kampi, stafi teknik i kombëtareve të grupmoshave do të ketë mundësinë të vlerësojë nga afër aftësitë e lojtarëve dhe të përzgjedhë futbollistët më premtues për ekipet kombëtare.
Kampi do të organizohet për disa grupmosha te djemtë dhe vajzat gjatë muajve korrik dhe gusht.
Për djemtë U15, të lindur në vitin 2012, seleksionimi do të mbahet më 8, 9 dhe 10 korrik. Futbollistët e grupmoshës U16 (gjenerata 2011) do të grumbullohen më 11, 12 dhe 13 korrik, si dhe më 3, 4 dhe 5 gusht. Ndërkaq, për djemtë U17 (gjenerata 2010), kampi do të zhvillohet më 8, 9 dhe 10 korrik, si dhe më 3, 4 dhe 5 gusht.
Te vajzat, grupmosha U19, e përbërë nga futbolliste të lindura në vitet 2008 dhe 2009, do të ketë kampin seleksionues më 3, 4 dhe 5 korrik. Ndërsa vajzat U17, të lindura në vitet 2010, 2011 dhe 2012, do të grumbullohen më 5, 6 dhe 7 korrik.
FFK ka bërë të ditur se të interesuarit duhet të dërgojnë të dhënat personale, përfshirë emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes, klubin ku aktivizohen, pozitën në fushë dhe numrin e kontaktit.
Ky projekt synon të afrojë edhe më shumë talentet e diasporës me fanellën e Kosovës dhe të zgjerojë bazën e futbollistëve për ekipet kombëtare në të ardhmen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!