Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Bujanocit, Granit Sadriu ka pranuar një ftesë nga gjykata në Serbi, që të paraqitet në gjyq.
Sadriu ka bërë të ditur se kjo ftesë i është bërë atij për shkak se drejtoria të cilën e udhëheq ka arritur që ta sigrojë sallën për ta festuar 28 nëntorin, ku kanë festuar me flamur kombëtar.
“Për të shënuar 109 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, normalisht vendosëm edhe flamurin shqiptar. Sepse nuk mund të kremtohet kjo ditë pa simbolin e saj më emblematik”, ka shkruar Sadriu.
Po ashtu, Sadriu këtë ftesë e ka cilësuar si përndjekje në baza etnike.
“Më shumë se kaq, është pjesë e një megaplani shtetëror të Serbisë për spastrim etnik të shqiptarëve nga trevat tona në Kosovën Lindore. Sikur fshirja sistematike e adresave, përmes strategjive të tilla të deportimit, Serbia synon ta bëjë të pamundur jetesën në shtëpitë dhe vatrat tona”, deklaroi Sadriu. /GazetaSinjali/