Shoqata “Miqtë e Amerikës” do të kremtojë sot ditëlindjen e 73-të të mikut të madh të shqiptarëve e mbarë njerëzimit, ish-presidentit të SHBA-së Bill Clinton.
Në eventin që mbahet në zyrat e shoqatës, janë ftuar personalitete të larta shtetërore, deputetë, artistë, gazetarë, sportistë e miq të shoqatës, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate, e cila sqaron se për shkak të hapësirës nuk ka pasur mundësi të ftojë shumë personalitete.
E veçanta e këtij eventi është se kryetari i shoqatës Agim Rexhepi gjatë prononcimit do të jetë i veshur me veshje nacionale.
“Ky veprim është reagim ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq vitin e kaluar më 20 gusht, në Soçi të Rusisë në konferencën me media pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov, ku e ka potencuar festimin e ditëlindjes që e kemi bërë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ish-presidenti Bill Clinton mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s, event ky i organizuar në muajin qershor në Prishtinë.
Ai deklaroi se Kosova është krenaria e tij dhe se e do shumë këtë vend.
Në fjalën e tij Clinton veç tjerash tha se ‘është i lumtur që bashkë me Albright, Clarkun dhe të tjerët e ndalën spastrimin etnik në Kosovë’./Sinjali/