Fondacioni Friedrich Ebert e ka prezantuar draft-marrëveshjen për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”.
Menaxheri i programit në FES, Egzon Osmanaj, tha se gjatë kohës së hartimit të këtij dokumenti ka pasur rrjedhje të informatave, të cilat tha se u kanë bërë presion në punën e tyre.
Osmanaj tha se kjo ka bërë që puna të kryhet larg medieve.
“Ne kemi identifiku që një nga pikat kyçe të këtij procesi është marrëveshja e 2013-ës. Hartimi ka fillu më intensivisht në pjesën e dytë të 2022-ës dhe ka qenë produkt i FES-it dhe organizatës partnere. Ka pas keqinformime që punën tonë me e lidhë me faktorë tjerë, me thënë që ka qenë punë e porositur po kjo ka qenë punë e përbashkët që me kapacitete tona me kontribuu në procesin e normalizimit”, tha menaxheri i FES-it .
Më tej ai shtoi se ka pas rrjedhje të dokumenteve të cilat kanë shtuar presion në punën e tyre.
“Kemi pas rrjedhje të dokumenteve dhe punës, drafteve fillestare e që kjo ka shtu presion te ne. Për këtë arsye jemi mundu që puna jonë me u bë larg syve të publikut. Terminologjia e përdorur në gjithë draftin është totalisht në përputhje me sistemin ligjor të Kosovës”, ka thënë ai.
Më tej ai tha se dokumenti është diskutuar me profesionistë të fushës, partnerë e ekspertë që kanë ndjekur çështjen në fjalë dhe ato rekomandime janë përfshirë po aq sa ka qenë e mundur.