image Ferizajasi bashkë me shokë e bëjnë për spital 21-vjeçarin, e godasin me thikë

Siguri

Ferizajasi bashkë me shokë e bëjnë për spital 21-vjeçarin, e godasin me thikë

news image

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Gjatë rrahjeve përpos grushteve shpesh përdoren edhe mjete të mprehta e të forta, çka ka bërë që shumë raste ndër vite të përfundojnë tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në sheshin e qytetit të Ferizajt, ku disa persona dyshohet se kanë sulmuar një 21-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje me lëndime të dukshme në fytyrë, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar si pasojë e goditjes me mjet të mprehtë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe kanë intervistuar viktimën.

Bazuar në dëshminë e 21-vjeçarit, një person të cilin e ka identifikuar, bashkë me shokët e tij e kanë sulmuar fizikisht dhe njëri prej tyre e ka goditur me mjet të mprehtë. Sipas tij, motivi që shtyu të dyshuarit të bëjnë këtë veprim, është një mosmarrëveshje e mëhershme me të dyshuarin kryesor.

Njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

/GazetaSinjali/