Me gjithë urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës – të marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji – qytetarët e Kosovës edhe këtë muaj janë faturuar me çmime të rritura.
“Faturat kanë ardhur – të papërballueshme, çmimi është i lartë”, thotë Shemsi Kastrati, banor në Prishtinë.
Gjykata ka marrë vendimin për pezullim më 9 prill – dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit për shtrenjtimin e rrymës.
Procesi ka nisur në gjykatë pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës “i dëmton qytetarët”.
Procesi gjyqësor vazhdon ende, por deri në vendimin përfundimtar, gjykata ka thënë se faturat me rritje duhet të pezullohen.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, thotë se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
Neni 66 i këtij Ligji, në të cilin bazohet ZRRE-ja, thotë se “vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”.
Sipas Ehat Miftarajt, jurist në Institutin për Drejtësi të Kosovës, ZRRE-ja është duke e interpretuar gabimisht këtë nen.
“Qëllimi i masës së sigurisë, në këtë rast masës së përkohshme [apo vendimit për pezullim] që ka marrë gjykata, është që të parandalohet një dëm apo pasojë që mund të shkaktohet. Nuk do të kishte kuptim kjo masë, nëse nuk do të ishte obligative apo e ekzekutueshme për organet administrative, në këtë rast për ZRRE-në”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, neni 66, në të cilin thirret ZRRE-ja, është për aktgjykime që merren në bazë të meritës, pra janë finale.
“Aktgjykimi merret kur gjykata vendos në bazë të meritës, pra pasi që i ka shtjelluar provat, dëshmitarët dhe të gjitha… Aktvendimi ka të bëjë me caktimin e një mase të sigurisë ndaj një vendimi që Gjykata vlerëson se, sikur të zbatohet, do t’i kufizojë dhe shkelë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës”, shpjegon Miftaraj.
ZRRE-ja ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për këtë rast. Nga kjo zyrë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke pritur vendimin që mund të marrë Apeli dhe pastaj do të veprojnë në përputhje me të. Deri atëherë nuk do të ndryshojë mënyra e faturimit, kanë paralajmëruar nga ZRRE-ja.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.
Ata paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.
Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.
Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.
Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.
Për konsumatorët që shpenzojnë më pak, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar – ata vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka nisur betejën ligjore kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës, dorëzoi të premten në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal ndaj anëtarëve të bordit të ZRRE-së.
Sipas sqarimit të dhënë, kallëzimi penal është ngritur për shkak të “moszbatimit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike”.
Kallëzimi penal u dorëzua nga Faton Fetahu, avokat i angazhuar nga PDK-ja, parti opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Fetahu tha se me moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Bordi i ZRRE-së ka kryer veprat penale: “mosekzekutim i vendimit të gjykatës, mosrespektim i gjykatës dhe keqpërdorim i pozitës së autoritetit zyrtar”.
Sipas tij, baza ligjore në të cilën thirret ZRRE-ja, është e paqëndrueshme.
“Ata [ZRRE] nuk e kanë të qartë dallimin mes aktgjykimit dhe aktvendimit. Në rrethana të rastit konkret është një masë e përkohshme për shtyrje të zbatimit të vendimit të ZRRE-së”, tha Fetahu.
Zyrtarë të ZRRE-së nuk kanë pranuar të komentojnë mbi kallëzimin penal të PDK-së.
Kur ka marrë vendimin për shtrenjtim të rrymës, ZRRE-ja ka thënë se ai është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë në nivel botëror.
Marrë parasysh faktin se Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, ajo është detyruar të importojë rrymë me çmime më të shtrenjta dhe kjo është reflektuar pastaj edhe në faturat e reja për qytetarët.