Drini i Bardhë është lumi më i dëmtuar në Kosovë për shkak të eksploatuesve ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Banorët e fshatrave përreth po i vuajnë më së shumti pasojat. Ata janë të rrezikuar nga gropat e mëdha që janë hapur afër shtratit të lumit dhe nga vërshimet. Institucionet kompetente nuk kanë arritur ta mbrojnë këtë lumë. Ato në të shumtën e rasteve nuk ua konfiskojnë makineritë operuesve ilegalë, të cilët po vazhdojnë degradimin e lumit.
Shkruajnë: Donjeta Murselaj & Eriona Hoti
Drini i Bardhë me gjatësi prej 112 kilometra është lumi më i gjatë në Kosovë dhe më i degraduari. Mbiemri që e shoqëron emrin e këtij lumi, nuk e përcolli edhe fatin e tij. Ai u bë shënjestra dhe terreni më i kërkuar nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit, të cilët që nga paslufta vendosën makinerinë e rëndë përgjatë lumit. Për pasojë sipërfaqe të mëdha të shtratit të këtij lumi janë degraduar.
Sipas raportit të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), sipërfaqja e degraduar e Drinit të Bardhë në vitin 2012, arriti në 1011.75 hektarë.
Që nga ai vit, asnjë institucion shtetëror nuk ka bërë vlerësim të dëmeve që u janë shkaktuar lumenjve të Kosovës nga eksploatuesit. Por ajo që dihet është se operimet ilegale kanë vazhduar në vitet paraprake dhe po vazhdojnë edhe sot, e që për pasojë edhe shumë hektarë të këtij lumi janë degraduar.
Të dhënat e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) tregojnë se që nga paslufta ky institucion nuk ka dhënë shumë licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit në lokacionet ku rrjedh Drini i Bardhë. Në Komunën e Rahovecit janë dhënë 17 licenca për shfrytëzim dhe pesë për hulumtim, ndërsa në atë të Prizrenit janë dhënë shtatë licenca për shfrytëzim dhe pesë për hulumtim.
Këto të dhëna tregojnë se operimet, përkatësisht degradimet në këto dy komuna në masë të madhe janë bërë nga operuesit ilegalë.
Sipas të dhënave të KPMM-së, në Komunën e Prizrenit janë evidentuar 89 operime ilegale të nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit, ndërsa në atë të Rahovecit 70. Fshatrat në të cilat janë evidentuar më së shumti operime ilegale janë Kramoviku me 35 dhe Krusha e Madhe me 24.
Por këto të dhëna tregojnë vetëm për disa nga rastet kur KPMM i ka zënë operatorët duke nxjerrë rërë dhe zhavorr ilegalisht, pasi që gjendja në terren tregon se ka pasur shumëfish më shumë operime tjera ilegale.
Ekipi i Preportr gjatë qershorit dhe korrikut të këtij viti ka vizituar fshatrat e Rahovecit dhe të Prizrenit, nëpër të cilët kalon Drini i Bardhë, nga Kramoviku deri në Vërmicë, për të parë nga afër gjendjen e shtratit të lumit.
Gjendja në terren tregon se shtrati i lumit është degraduar shumë. Operatorët ilegalë, pas gërmimeve kanë lënë pas shumë gropa dhe e kanë devijuar edhe shtratin e lumit.
Këto devijime shihen më së miri nga pamjet që Preportr i ka marrë përmes përdorimit të dronit. Pamjet tregojnë se lumi ka devijuar nga shtrati në shumë drejtime.
Gjendja aktuale e Drinit të Bardhë përmes FOTOGRAFIVE.
Në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit, eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit janë duke vazhduar operimet fare pranë shtratit të lumit, madje edhe në shtratin e tanishëm të lumit, pasi që për shkak të nxjerrjes së këtyre materialeve, Drini i Bardhë në atë fshat nuk rrjedh në shtratin natyral të tij, por ka devijuar rreth 50 metra më larg.
Gjatë vizitës në këtë fshat, ekipi i Preportr ka hasur në një ekskavator, i cili po nxirrte rërë e zhavorr rreth 50 metra larg nga shtrati natyror i lumit, ndonëse Ligji për Ujëra e parasheh që një veprimtari e tillë për operuesit e licencuar duhet të zhvillohet në një distancë prej 150 metrash.
Gjithashtu, në mes të fshatit Çifllak dhe Dobidol të Rahovecit është parë një ekskavator tjetër i cili ishte ndalur buzë shtratit të lumit. Afër tij shiheshin vende ku është gërmuar.
Në fshatin Çifllak, gropat nga ku janë nxjerrë këto materiale kanë mbetur ende të hapura. Tashmë ato janë shndërruar në deponi ilegale për shkak se në disa pjesë të shtratit të lumit “mbylljen” e gropave e kanë bërë mbeturinat e ndryshme nga ato të ndërtimtarisë, amvisërisë e deri të mbetjet shtazore, të cilat kanë formuar pirgje bri lumit.
Për më tepër, këto mbeturina kundërmojnë erë të keqe dhe banorët kanë frikë nga shfaqja e ndonjë sëmundje.
Viktimat e eksploatimeve ilegale
Në Çifllak banorët hezitonin të tregonin identitetin e tyre kur flisnin për dëmet që u janë shkaktuar ndër vite nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Kjo edhe për faktin se në këtë fshat kishte ndodhur një incident i rëndë në vitin 2004.
Për shkak se institucionet përkatëse nuk kishin bërë asgjë për të ndalur operuesit ilegalë, një gjë të tillë kishin vendosur ta bëjnë banorët e fshatit.
Ata kishin tentuar t’i ndalnin ekskavatorët që po gërmonin në shtratin e lumit, por hasën në rezistencë të armatosur nga operuesit ilegalë, të cilët ishin nga fshati Kramovik.
Nga ky konflikt mbeti i vdekur Q.Th rreth të 40’ave, i cili ishte njëri nga pronarët e kompanisë dhe u plagosën dy fëmijë të fshatit Çifllak.
Lidhur me këtë rast, Preportr ka tentuar të intervistojë familjarët e viktimave, por ata nuk janë prononcuar, duke thënë se kjo tashmë është një “çështje e mbyllur” dhe se ata nuk duan që të publikohen detaje rreth këtij incidenti, duke u frikësuar se një konflikt i tillë mund të përsëritet.
Edhe në hulumtimet tjera që ka realizuar Preportr lidhur me këtë çështje, banorët nuk kanë guxuar të flasin nga frika e operuesve ilegalë të cilët i kanë kërcënuar.
Ish-ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, në një prononcim të mëhershëm për Preportr pati deklaruar se operuesit ilegalë kanë qenë të dhunshëm edhe ndaj inspektorëve.
“E kemi pasur shumë të vështirë pasi në fillim inspektorët tanë janë pritur me kallashnikovë prej pronarëve të kompanive, ata (kompanitë) njëjtë kanë pasur probleme me banorët”, pati thënë Gashi.
Incidenti i vitit 2004 nuk ishte i fundit në fshatin Çifllak, kjo për faktin se operimet ilegale nuk u ndalën asnjëherë. Në vitin 2015, L.L., banor i fshatit Çifllak, rreth të 50’ave, humbi jetën pasi që ra me traktor në njërën nga gropat që ishin hapur nga ekskavatorët afër lumit. Gropat e tilla vetëm sa janë shtuar ndër vite në këtë fshat, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar se aty mund të pësojnë sidomos fëmijët e tyre.
Përveç këtij rreziku, ata thonë se afër lumit ka qenë një natyrë piktoreske e cila është shfrytëzuar për rekreacion, por tani çdo gjë është shkatërruar.
“Këtu më nuk ka mbetë kurgjo e mirë. Unë e mbaj mend, kur kemi qenë në shkollë fillore, jo vetëm ne, por edhe nxënësit nga Gjakova kanë ardhë për piknik afër lumit, në Çifllak. Uji ka qenë shumë i pastër, i rrethum me gjelbërim”, thotë S.M., banor i këtij fshati.
E këtë situatë po e vuajnë edhe peshkatarët. Sokol Sahitaj, banor i këtij fshati dhe peshkatar, thotë se operimet ilegale kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në florën dhe faunën e lumit.
“Nuk ka peshk ma. Edhe nëpër ata bazenat që janë afër Drinit, nuk ka më kurgjo. Ne peshkatarët dalim nga pak aty sa me kalu kohën. E kanë dëmtu operuesit ilegalë duke nxjerrë rërë dhe zhavorr ditën dhe natën. Drini po ndryshon çdo ditë e më keq”, u shpreh Sahitaj.
Përveç dëmeve të lartpërmendura, banorët thonë se për shkak të dëmtimit të shtratit të lumit, gjatë stinës së vjeshtës dhe të dimrit shtëpitë dhe arat e tyre janë të rrezikuara nga përmbytjet.
Së fundi, një gjë e tillë kishte ndodhur në janar të këtij viti. Si pasojë e daljes së lumit nga shtrati, ishin përmbytur shumë fshatra dhe shtëpi në Komunën e Rahovecit dhe disa nga banorët janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar më të keqes.
Për shkak të kësaj situate, është e domosdoshme që të bëhet rehabilitimi i shtratit të lumit, në mënyrë që të shmangen vërshimet e shpeshta. Lidhur me këtë çështje nga Ministria e Mjedisit kanë thënë se janë kryer vlerësimet paraprake të rrezikut nga vërshimet për tërë territorin e Kosovës.
Pa specifikuar ndonjë afat kohor, në këtë ministri thonë se do të fillojë faza vijuese për krijimin e hartave të rrezikut nga vërshimet.
Nga kjo ministri vlerësojnë se ekzistojnë rreziqe nga përmbytjet përgjatë rrjedhës së Lumit Drini i Bardhë, nga fshati Kramovik deri në Vërmicë.
“Rreziku ekziston, përderisa veprojnë eksploatimet nga operatorët e papengueshëm të inerteve. Pas përfundimit të hartave të rrezikut, do të bëhet plani i menaxhimit të rrezikut nga vërshimet dhe me të propozimi i masave të cilat duhet të ndërmerren”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Kjo ministri ka bërë të ditur se janë rehabilituar/rregulluar dhe pastruar 11 shtretër të disa lumenjve, për pellgun lumor Drini i Bardhë. Ky investim i kushtoi buxhetit të shtetit 4 milionë e 248 mijë e 990 euro.
Deri më tani asnjë institucion nuk ka bërë ndonjë vlerësim të dëmeve që janë shkaktuar në Drinin e Bardhë e as në nivel vendi, e rrjedhimisht nuk ka ndonjë vlerësim se sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rehabilitimi i këtyre dëmeve.
Institucionet kanë dështuar ta mbrojnë lumin
Për më shumë se dy dekada eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit kanë operuar ilegalisht pothuajse para syve të institucioneve shtetërore, të cilat do të duhej ta mbronin mjedisin duke parandaluar, por edhe duke i ndëshkuar degraduesit.
Në Ministrinë e Mjedisit e pranojnë se Drini i Bardhë u dëmtua nga operatorët ilegalë. Kjo ministri, por edhe KPMM-ja i kanë inspektoratet përkatëse që dalin në terren për të verifikuar dhe monitoruar gërmimet që bëhen qoftë nga gurthyesit apo edhe nga eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi, thotë se ky institucion ka nevojë për më shumë inspektorë pasi që aktualisht kanë vetëm 12 të tillë dhe vetëm tre prej tyre janë të ujërave.
“Në shumë raste inspektorët e ujërave apo natyrës, madje edhe ndërtimit e planifikimit, detyrohemi t’i përdorim edhe për inspektime që nuk janë të fushës profesionale të tyre. Krejt kjo për shkak se kemi staf shumë të vogël të inspektorëve”, thotë Halimi.
Ai thotë se kur hasin në operues ilegalë, rastet i procedojnë në gjykatat kompetente. Por shprehet i pakënaqur me trajtimin e lëndëve nga gjykatat, pasi që sipas tij, një numër i konsiderueshëm i lëndëve parashkruhen, ndërsa edhe dënimet që shqiptohen ndaj operuesve ilegalë janë shumë të vogla.
Parashkrimi konsiston në atë se për shkak të kalimit të afatit të caktuar me ligj, shteti e humbë të drejtën e ndjekjes së personave apo kompanive dhe rrjedhimisht nuk mund t’u shqiptohet dënim për veprat e kryera.
Halimi thotë se përmes parashkrimit të një numri të madh të lëndëve që ata i dërgojnë në gjykata po amnistohen degraduesit e mjedisit, të cilët në të shumtën e rasteve i përsërisin veprat.
“Vlen për t’u theksuar fakti se te lëndët e parashkruara, gjykatësi gjen hapësirë dhe kohë për të shkruar dy-tri faqe tekst si arsyetim sesi është parashkruar lënda, por nuk gjen kohë për ta shkruar gjysmë faqe për ta dënuar simbolikisht kryerësin e veprës”, thotë Halimi.
Kundër eksploatuesve që nxorën ilegalisht rërë dhe zhavorr në Rahovec dhe Prizren, që nga viti 2015 e deri në korrik të vitit 2021, KPMM ka dërguar në prokuroritë përkatëse 388 kallëzime penale.
Sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale, nëse një person zhvillon aktivitete të hulumtimit, shfrytëzimit ose aktivitete të veçanta pa poseduar licencën ose lejen e nevojshme, gjobitet duke filluar nga pesë mijë euro për secilin aktivitet të tillë.
Por edhe në këtë institucion shprehen të pakënaqur me trajtimin e këtyre rasteve nga gjykatat.
Selvete Grajqevci-Pllana, kryesuese e departamentit Ligjor në KPMM, ka thënë për Preportr se parashkrimet po ndodhin për shkak të neglizhencës së institucioneve të drejtësisë.
Ajo thotë se dënimet e shqiptuara nga gjykatat nuk janë në proporcion me veprat penale që janë kryer në terren, sepse asnjëherë nuk shqiptohet masa dënim me burgim ose sekuestrim të mjeteve të punës me të cilat është kryer vepra penale. Sipas saj, në raste të tilla operatorët e vazhdojnë punën ilegalisht.
Grajqevci-Pllana thotë se në shumë raste shqiptohen dënime shumë të ulëta, 200 – 300 euro, apo dënime me kusht për të cilat ajo konsideron se nuk e arrijnë efektin e duhur për veprën që e kanë kryer operatorët ilegalë.
“Me Ligjin për Miniera dhe Minerale, është paraparë që përveç dënimit me gjobë të shqiptohet edhe masa e burgimit deri në gjashtë muaj, e që nuk zbatohet asnjëherë. Ka raste kur lirohen gjoja në mungesë të provave ose ju shqiptohet një gjobë simbolike sa për të thënë kemi marrë masa”, thotë Grajqevci-Pllana.
Një nga problemet me operatorët ilegalë të cilëve nuk u sekuestrohen mjetet e rënda të punës siç janë ekskavatorët, është fakti se pavarësisht gjobave të cilat KPMM ua shqipton atyre, të njëjtit i heqin shiritat që vendosen përreth nga inspektorët dhe vazhdojnë të operojnë ilegalisht në ato lokacione, duke e degraduar mjedisin.
Se nuk po konfiskohen këto mjete të punës e kanë konfirmuar edhe nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar. Nga ky institucion kanë thënë se në periudhën 2015 – korrik 2021, kjo agjenci ka administruar vetëm një rast të konfiskimit të mjeteve të tilla, e që për më tepër, nuk ka ndodhur në zonën e Rahovecit ose të Prizrenit, që janë fokus i këtij hulumtimi.
Mirëpo, me vendim të gjykatës, me urdhër të së cilës bëhet sekuestrimi, pasuria e sekuestruar në këtë rast, i është kthyer sërish pronarit.
Siç duket, ky mosefikasitet i institucioneve ka ndikuar që degradimi i mjedisit të bëhet në mënyrë të vazhdueshme, siç po ndodh edhe në Lumin Drini i Bardhë.
Pasojat shumëdimensionale të operimeve ilegale
Operimet ilegale në shtratin e Lumit Drini i Bardhë kanë shkaktuar pasoja të shumta. Zeqir Veselaj, profesor dhe njohës i fushës së mjedisit, i sheh si shumë shqetësuese dëmet që janë bërë në këtë lumë.
Ai thotë se pasojat nuk janë vetëm në vendin ku eksploatohet, por edhe shumë kilometra më larg në drejtim të rrymës ujore, duke bartur dhe grumbulluar inertet e shtratit që në vende të caktuara rrisin mundësitë e vërshimeve. Sipas tij, pasojë tjetër, jo më pak e rëndë, është ndotja e ujit nga rrjedhjet e makinerive (derivate, vajra etj.) që përdoren për eksploatim.
“Gërryerja e shtratit gjithashtu provokon erozionin lumor që dëmton tokat bujqësore rreth lumenjve. Lumi përmes vërshimeve dhe erozionit ‘hakmerret’ kohë pas kohe për abuzimin që po ua bën faktori njeri”, thotë Veselaj.
Ai thotë se gërryerja e substratit të shtratit të lumit ndryshon karakteristikat fizike të ujit (tejdukshmërinë, turbullirat etj.) që e vështirësojnë jetën e organizmave akuatikë bimorë, e sidomos atyre shtazorë.
Profesori Veselaj thotë se gropat e krijuara buzë lumenjve ndikojnë që uji të akumulohet dhe gjatë muajve të thatësisë të ketë shkëputje të rrymës ujore që rrezikon peshqit dhe organizmat e tjerë ujorë, të cilët duhen të jetojnë në “pellgjet” e krijuara nga ekskavatorët.
“Gërryerja e lumenjve e ulë edhe syprinën e lumit, duke vështirësuar shfrytëzimin e ujit për ujitje përmes kanaleve ujitëse”, thotë ndër të tjera Veselaj.
Të gjitha këto pasoja që i thekson Zeqir Veselaj, shihen edhe në terren në fshatrat e Rahovecit dhe Prizrenit.
Në fshatin Piranë të Prizrenit shtrati i Lumit Drini i Bardhë është shumë i dëmtuar. Afër tij ka mbetur e hapur një gropë e madhe, e cila është krijuar nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit.
Tashmë kjo gropë është e mbushur me ujë dhe ndodhet shumë afër shtëpive. Banorët e Piranës shprehin shqetësimin e tyre dhe frikën se mund ta pësojnë nga kjo gropë gjigante.
“Kemi frikë për fëmijët, të cilët mund t’u afrohen atyre gropave të mëdha. Drini ka qenë shumë mirë, por këto kompanitë me bagera e kanë dëmtu shumë. Ata kanë thanë që kanë me i mbulu gropat, po nuk i kanë mbulu”, thotë një banore e këtij fshati, e cila kërkoi që të mbetet anonime.
Edhe Hamit Morina, banor i këtij fshati, na tregon se më herët ka pasur më shumë gjallesa ujore dhe në përgjithësi toka të mira, me rendimente të larta, para se aty të fillojë gërmimi nga ekskavatorët.
“Ka pasë edhe ngjalë, tashmë s’ka. Është dëmtu shumë shtrati, edhe tokën e kanë dëmtu shumë. Me mijëra hektarë janë dëmtuar”, ka thënë ai.
Degradime të mëdha të shtratit të lumit janë bërë edhe në fshatrat Dejnë, Dobidol dhe Xërxë të Komunës së Rahovecit. Në të tri këto fshatra, gropat që janë lënë pas nga operuesit ilegal janë kthyer në deponi ilegale, ku tashmë po hedhen mbeturina të ndryshme, të cilat po e ndotin mjedisin përreth.
Ndërkaq, në fshatin Gexhë dhe Malësi e Vogël të Rahovecit, nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit janë formuar pellgje të gjata të cilat shkojnë paralel me lumin.
Një banor i fshatit Malësi e Vogël, i cili kërkoi të mbetet anonim, thotë se në tokat ku është nxjerrë rëra dhe zhavorri, nuk mund të kultivohet më asnjë kulturë bujqësore, pasi që ato janë mbushur me ujë dhe me bimë ujore.
“Vetëm kjo rrugë i ndan. Ti po thua që duhet 150 metra sipas ligjit me operu kompanitë. Po, kqyre sa metra kanë punu këta, veç një rrugë 3-4 metra e ndan prej lumin pjesën ku kanë marrë zallë me bagera. Tash kjo tokë ka mbet batall”, thotë ai.
Në situatën aktuale kur institucionet shtetërore nuk janë sa duhet të fuqishme për t’i ndalur operuesit ilegalë në Lumin Drini i Bardhë, banorët e fshatrave që shtrihen përreth, do të jenë të rrezikuar vazhdimisht nga gropat e mëdha që janë krijuar afër lumit dhe nga përmbytjet e shpeshta që shkaktohen për shkak të devijimit të shtratit të tij.
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Redaktuar nga: Besnik Boletini./Gazeta Sinjali/