Rapid Bukureshti ka regjistruar fitoren e pestë rresht në elitën e fubollit të Rumanisë. Edhe kësaj radhe fjalën kryesore e thanë futbollistët kosovarë.
Rapidi triumfoi si vendas ndaj Hermannstadt me rezultatin 2:0. Kjo ndeshje i takoi javës së 26-të.
Ermal Krasniqi (54′) dhe Albion Rrahmani (66′) shënuan golat e fitores për vendasit. I pari ishte edhe asistues te goli i të dytit.
Faqja zyrtare e Superligës së Rumanisë ka bërë një postim të veçantë pas kësaj ndeshje, ku në fokus padyshim se janë Krasniqi dhe Rrahmani.
“Kosovarët, Ermal Krasniqi dhe Albion Rrahmani, ishin vendimtarë te Giulesti, të cilët arritën të shënojnë respektivisht në minutën e 54-t dhe 66-të. ‘Kuqebardhët’ ndjekin liderin, FCSB, dhe nxehin edhe më shumë fundin e sezonit të rregullt”, thuhet mes tjerash në postim.
Rapidi ka 48 pikë dhe vazhdon të jetë i dyti në tabelë, me gjashtë pikë më pak se lideri, FCSB, që momentalisht ka një ndeshje më pak.