Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdimisht është duke njoftuar për raste kur të afërm me të burgosurit nëpër burgje të ndryshme të Kosovës po tentojnë të fusin në mënyrë ilegale gjësende, kryesisht substanca narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali nga burime brenda SHKK-së merr vesh se dje zyrtar të këtij burgu kanë pranuar informacione se gjatë kontrollit të një zarfi të dërguar te një i burgosur janë gjetur substanca narkotike të llojit marihuanë.
Gjithashtu këto burime kanë bërë të ditur se në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe prokurori.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga SHKK, ku kanë thënë se këto substanca janë tentuar të futen përmes rrobave të dërguara me postë.
“Po është parandaluar futja e substancave të dyshuara narkotike, e cila është tentuar të futet përmes rrobave të të burgosurit, rrobat janë dërguar përmes postes“, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Gjithashtu është bërë e ditur se ndaj të burgosurit që dyshohet se kanë qenë të dedikuar këto substanca është iniciuar procedurë disiplinore.
“Lidhur me këtë rast, oficerët korrektues kanë lokalizuar substancën e dyshuar narkotike, i dënuari i dyshuar se substanca e dyshuar narkotike ka qenë e dedikuar për të është veçuar dhe ndaj tij është iniciuar procedurë disiplinore. Për rastin janë njoftuar edhe Policia e Kosovës”, përfundon përgjigja e SHKK-së.