Familjarët e Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, i cili prej më shumë se një jave po mbahet i ndaluar në Serbi, kanë reaguar me shqetësim dhe kanë kërkuar ndihmë urgjente nga institucionet e Kosovës, si dhe nga faktori ndërkombëtar, shkruan Gazeta Sinjali.
Misin Metaj, vjehrri i Spahiut, iu drejtua me një thirrje publike institucioneve shtetërore të Kosovës, duke shprehur zhgënjimin e thellë për mungesën e reagimit ndaj ndalimit të një qytetari të Kosovës nga autoritetet serbe. Ai tha se familja po përjeton dhimbje të madhe dhe padrejtësi të thellë, ndërsa shteti po hesht.
“A ka mbetur kush që i dëgjon hallet e qytetarëve të vet?”, pyeti ai, duke shtuar se vajza e tij, Arjeta – bashkëshortja e Arbnorit – çdo ditë po udhëton drejt Serbisë për të kërkuar drejtësi për burrin e saj. “A është kjo detyra e një shteti? Që t’u kthejë shpinën atyre që i kanë shërbyer me nder? Ku janë institucionet tona? Ku janë ata që betohen se do të mbrojnë qytetarët e vet?”, shkroi Metaj me tone të ashpra, duke akuzuar shtetin për braktisje të qytetarëve të tij.
Në një tjetër pjesë të reagimit të tij, ai nënvizoi se kjo situatë nuk prek vetëm Arbnorin si individ, por gjithë familjen dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi:
“Nuk është vetëm Arbnori që po vuan – po vuan edhe familja, bashkëshortja e tij, dhe çdo prind që sheh se si drejtësia po zbehet përballë padrejtësisë. Mjaft më me heshtje! Ne nuk kërkojmë lëmoshë – kërkojmë drejtësi! Kërkojmë që shteti ynë të zgjohet dhe të mbrojë bijtë e vet”.
Përveç Metajt, edhe prindërit dhe familjarët e tjerë të ish-policit kanë bërë një reagim të përbashkët, përmes të cilit i janë drejtuar institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave për të drejtat e njeriut. Ata kanë kërkuar që rasti të mos mbetet në heshtje dhe të sigurohet një proces i drejtë për Spahiun.
“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinioni publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet,” thuhet në deklaratën e familjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!