Vrasja e policit, Afrim Bunjaku, tronditi vendit tonë mëngjesin e sotëm, pasi i ndjeri mbeti i vdekur teksa ishte në detyrë, ku së bashku me disa nga kolegët e tij, u sulmuan në hyrje të fshatit Bajnskë nga grupe të armatosura serbe, raporton Gazeta Sinjali.
Në familjen e tij, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë kanë nisur vizitat e familjarëve për ngushëllime, ku pran shtëpisë së policit tashmë të ndjerë po qëndrojnë Policia e Kosovës dhe autoambulanca, pasi gjendja emocionale e familjarëve të tij është jo e lehtë.
Afrim Bunjaku ka lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijë, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është jo e mirë aktualisht.
Siç mëson Sinjali, familja e Afrimit, përveç kësaj tragjedie, disa vjet më parë është përballur me humbjen tragjike të djalit të tyre. Ai vdiq në moshë të re, pasi u godit nga një veturë.
Të afërmit, viktimën e kanë përshkruar si një njeri të sjellshëm e të ndershëm.
Pas kësaj vrasje, edhe familjarët e Afrimit kanë dalë me një reagim, të cilët vdekjen e tij për atdhe e cilësuan si rilindje.
Postimi i plotë i tyre:
TË VDESËSH PËR ATDHE ËSHTË SIKUR TË RILINDËSH PËRSËRI.*
Të nderuar miq, të dashur familjarë,
Sot, në orët e hershme të mëngjesit erdhi një lajm i kobshëm për familjen tonë Bunjaku nga Samdrexha e Vushtrrisë.
Familjari jonë *AFRIM BUNJAKU* , rreshter në policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit.
E pikëlluar familja Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.