image Faktet që përgënjeshtrojnë Vilard Bytyqin, foto e data që rrëzojnë akuzat e tij ndaj Sinjalit

Siguri

Faktet që përgënjeshtrojnë Vilard Bytyqin, foto e data që rrëzojnë akuzat e tij ndaj Sinjalit

news image

Artikulli i Gazetës Sinjali i publikuar më 25 prill që i referohet anëtarit jogjqytar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Vilard Bytyqit, çoi peshë sistemin e drejtësisë. Raporti i tij me një grua, përfshinte biseda të ‘nxehta’ dhe komunikime e informacione për institucionin ku mban pozitë, e që është njëri ndër pushtetet më të rëndësishme të shtetit. Pasi dështoi që t’i largojë artikujt me arsyetimin se po i prishet familja, z. Bytyqi u motivua dhe vendosi të lëshoja akuza për sajesa. 

Sinjali ka vendosur që t’i përgjigjet z. Bytyqit me dëshmi konkrete se e vërteta që u zbardhë është vetëm e vërtetë dhe merr përgjegjësi për autenticitetin e dëshmive të publikuara.

Z. Bytyqi vendosi që të akuzojë, por nuk dha asnjë përgjigje për provat që dëshmojnë me tekst e figurë përfshirjen e tij në këtë rast. Prandaj, Sinjali e fton z. Bytyqin, që të përgjigjet në pyetjet e mëposhtme dhe të sjellë dëshmi, që demantojnë shkrimet e publikuara.

Meqë z. Bytyqi deklaroi se “të gjitha janë fabrikime dhe sajesa”, po kërkojmë publikisht përgjigje se a është e vërtetë që më 24 mars, 2022, në orën 16:18, ka qenë në mbledhjen e mbyllur të KGJK-së, ku u vendos për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Informacionin për suspendimin e gjyqtares, z. Bytyqi ia ka dhënë personit në fjalë ende pa u marrë vendimi, duke zbuluar kështu rrjedhën e mbledhjes së mbyllur të KGJK-së.

Nëse raportimi i Sinjalit qenka i fabrikuar (Fabrikoj: Krijoj e përhap vazhdimisht diçka të paqenë, sajoj diçka që s’është e vërtetë; shpif, trilloj. Fabrikonte gënjeshtra (shpifje)), e ftojmë z. Bytyqin që ta dëshmojë që po me këtë datë, nuk është marrë vendimi për suspendim. (Linku i vendimit: https://shorturl.at/bqE69)

Nëse raportimi i Sinjalit qenka i sajuar, a ka qenë z. Bytyqi pjesëmarrës në mbledhje me këtë datë, i veshur si në foton që ia ka dërguar personit në fjalë, po atë ditë.

Nëse raportimi i Sinjalit qenka trillim, a është pikërisht z. Bytyqi, që ia ka dërguar personit në fjalë linkun e KGJK-së për mbledhjen e asaj dite, ku në fund të njoftimit thuhet se Këshilli ka mbajtur pjesën e mbyllur të mbledhjes që rezultoi me suspendimin e gjyqtares.

Nëse raportimi i Sinjalit qenka shpifje, a mund ta dëshmojë z. Bytyqi, që më 25 mars 2022, ka mbajtur ligjërata, siç i ka thënë personit në fjalë, pas orës 17:00 të asaj dite. A mund ta demantojë që me atë datë nuk ka ligjëruar?

Nëse raportimi i Sinjalit qenka gënjeshtër, a mund ta zbulojë z. Bytyqi vendbanimin e tij, lagjen ku ndodhet banesa në të cilën banon, nëse akoma nuk e ka ndërruar.

A ndodhet banesa e tij në lagjen Arbëria (Dragodan), siç i ka thënë personit në fjalë? A është e vërtetë që kuzhina që shihet në foton e mëposhtme ndodhet në banesën e tij? A mund ta demantojë që fotoja e dytë që shihet më poshtë nuk është bërë në dhomën e ndenjës?

Nëse raportimi i Sinjalit qenka sajesë, a mund ta dëshmojë që më datë 21 mars 2022, nuk ka dorëzuar në bankë një dokument të kërkuar, ashtu siç shihet në bisedën mes tij dhe personit në fjalë? A mund ta demantojë që fotoja e mëposhtme nuk është realizuar në tualetin e banjos në banesën e tij?

Nëse raportimi i Sinjalit qenka rrenë, a mund ta demantojë se nuk i ka marrë rreth 40 vota në Kuvendin e Kosovës për t’u emëruar në pozitën që mbanë, ashtu siç i ka thënë personit në fjalë?

Nëse raportimi i Sinjalit s’është i vërtetë, a mund ta demantojë që në muajin mars të vitit 2022, bashkëshortja e tij nuk ka qenë shtatzënë, ashtu siç i ka thënë personit në fjalë?

Meqë, z. Bytyqi, me çdo fjalë të mundshme e ka mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë rast, e ftojmë të shkojë edhe më tej dhe ta fotografojë aparatin e kafesë që e ka në banesë ose ta demantojë foton e mëposhtme.

Për korrektësi dhe për faktin se redaksia disponon edhe një numër të madh të provave, Sinjali e fton sërish këdo, kurdo dhe në çfarëdo forme që të analizojë e të sjellë ekspertizë për secilën prej këtyre dëshmive.

Meqenëse z. Bytyqi ka shprehur gatishmëri e madje edhe interesim që t’i heq dilemat etike dhe ligjore, le të përballet me realitetin dhe t’i ofrojë provat e veta, duke ndërmarrë edhe rrugët ligjore.

Sinjali e rithekson se nuk i intereson jeta private e z. Bytyqit, por përfshirja e tij në një rast të tillë, padyshim se ka interes për publikun dhe jo personi tjetër, i cili edhe sikur të ishte personazhi negativ, nuk paguhet nga taksat e qytetarëve.

Kjo përgjigje ishte mëse e nevojshme nga Gazeta Sinjali pasi z. Bytyqi vendosi që ta përmbyllë skandalin e tij me një reagim në Facebook, të mbushur me akuza për mashtrime e sajime, meqë tentativa e tij 12 orëshe për t’i larguar artikujt e Sinjalit me arsyetimin se i prishet familja rezultoi e pasuksesshme.

/GazetaSinjali/