image Evidentohen probleme me kontratat, tejkalime kostosh dhe vonesa në Ministrinë e Drejtësisë

Politikë

Evidentohen probleme me kontratat, tejkalime kostosh dhe vonesa në Ministrinë e Drejtësisë

news image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2025, ku ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e kontratave, projekteve dhe evidencave financiare.

Sipas raportit, një nga rastet kryesore lidhet me projektin “Renovimi i Kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, me vlerë mbi 814 mijë euro, i cili nuk është përfunduar brenda afateve të përcaktuara kontraktuale. Po ashtu, janë konstatuar tejkalime në disa pozicione punimesh në vlerë prej 31,748 eurosh.

Auditimi ka gjetur gjithashtu parregullsi në përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim për furnizime higjienike në vlerë prej 119,497 eurosh, ku furnizimet nuk janë realizuar brenda afatit të paraparë, ndërsa nuk janë aplikuar masat ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik.

Në raport theksohen edhe pasaktësi në evidencimin e detyrimeve kontingjente, ku disa lëndë të mbyllura kanë vazhduar të figurojnë në regjistra, ndërsa në raste të tjera janë evidentuar mbivlerësime dhe nënvlerësime të shumave, duke ndikuar në saktësinë e pasqyrave financiare.

ZKA ka konstatuar gjithashtu se në disa raste Ministria e Drejtësisë nuk ka aplikuar penalitete ndaj operatorëve ekonomikë për vonesa në realizimin e kontratave, duke rritur rrezikun për mosrespektim të afateve kontraktuale.

Ndër gjetjet përfshihet edhe mosfinalizimi i procesit të klasifikimit të pozitave në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku disa pozita udhëheqëse vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre.

Në fushën e menaxhimit të pasurisë, raporti evidenton edhe nënvlerësim të regjistrit të pasurive kapitale për mbi 35 mijë euro, për shkak të mosregjistrimit të disa investimeve.

Sipas ZKA-së, Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar rreth 82 për qind të buxhetit final prej mbi 54 milionë eurosh gjatë vitit 2025, ndërsa janë dhënë gjithsej gjashtë rekomandime për përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit financiar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/