image Eurodeputetët i kërkojnë 5-shes së BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës

Politikë

Eurodeputetët i kërkojnë 5-shes së BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës

news image

Parlamenti Evropian më shumicë e ka miratuar të mërkurën në Bruksel raportin për Kosovën. 

Dokumenti shpreh mbështetje për synimet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian (BE), përsërit kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare, por shpreh keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që po e shoqërojnë vendin edhe nga një palë zgjedhje, si dhe për rrezikun që Kosova, si pasojë e kësaj, të humbë mjete të konsiderueshme financiare.

Në një postim në “X”, raportuesi për Kosovën, estonezi Riho Terras, ka thënë se në favor të raportit votuan 412 europarlamentarë, kundër 174 e abstenuan 58.

“Vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Terrasi.

Raporti thekson se viti 2025 ka qenë i humbur për shkak të ngërçit politik dhe se edhe muajt e ardhshëm mund të humben për Kosovën për shkak të zgjedhjeve të 7 qershorit, të organizuara pas dështimit për të zgjedhur presidentin. Mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben pasi Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme brenda periudhës së caktuar kohore, përfshirë vendimet në Kuvend që kërkohen deri në fund të qershorit.

Në raport është vlerësuar fakti se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, është përshëndetur formimi i qeverisë, por nuk është siguruar edhe kompromisi për zgjedhjen e presidentit.
Në të është kërkuar edhe shqyrtimi i aplikacionit të Kosovës për ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Përsëritet thirrja për shtetet anëtare në Këshill që t’i bëjnë ftesë Komisionit Evropian për të dërguar pyetësorin pa vonesa të reja dhe të japë mendimin e bazuar në merita për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE. Thërret Këshillin që të veprojë shpejt, përfshirë edhe duke i dhënë statusin e kandidatit kur kriteret përkatëse të jenë përmbushur”, thuhet në raport. “Bëjmë ftesë për pesë vendet mosnjohëse, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tash, që ta bëjnë këtë pa vonesa, për të mundësuar avancimin e Kosovës në baza të barabarta me kandidatët e tjerë”.

Po ashtu, në raport është rikujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik të vitit 2010, ka dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Është mirëpritur edhe deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për të cilën në raport theksohet se ndihmon në përballjen me kërcënimet hibride të sigurisë në rajon.

Pos raportit për Kosovën, u votua edhe raporti për Serbinë, në të cilin i është bërë thirrje këtij shteti për progres në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën, i cili, sipas Parlamentit Evropian, duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.

Raporti i kërkon Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, pasi kjo bie ndesh me obligimet nga marrëveshja për normalizimin e raporteve. Në të shprehet edhe një herë keqardhje për faktin se Milan Radoiçiq, udhëheqësi i sulmit terrorist në Banjskë, nuk është sjellë ende para drejtësisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/