Monedha europiane ka vijuar të dobësohet ndaj lekut shqiptar, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë në tregun vendas.
Sipas kursit të këmbimit, euro po këmbehet me rreth 93.88 lekë, nga afro 98 lekë sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rënie prej mbi 4 për qind dhe duke reflektuar forcimin e vazhdueshëm të monedhës shqiptare.
Ekspertët dhe Banka e Shqipërisë e lidhin këtë zhvillim me rritjen e ofertës së euros në treg, të ndikuar nga sezoni turistik, remitancat e emigrantëve dhe investimet e huaja, ndërsa kërkesa për valutë mbetet relativisht e qëndrueshme.
Forcimi i lekut sjell përfitime për konsumatorët dhe bizneset importuese, pasi ul kostot e produkteve dhe shërbimeve të paguara në euro, duke ndikuar edhe në frenimin e inflacionit. Gjithashtu, lehtëson pagesat për kreditë në euro për individët dhe bizneset.
Megjithatë, zhvlerësimi i euros paraqet sfida për eksportuesit, sektorin e turizmit dhe familjet që marrin të ardhura nga jashtë, pasi përfitojnë më pak nga konvertimi i valutës.
Ekspertët parashikojnë se kursi i këmbimit do të vazhdojë të ndikohet nga flukset valutore dhe zhvillimet ekonomike në vend dhe në zonën euro gjatë muajve në vijim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!