Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Llukafc i Thatë të Istogut, ku një konflikt verbal mes bashkëshortëve dyshohet se ka degraduar në kërcënim fizik, në prani edhe të fëmijëve të familjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia është njoftuar nga vetë viktima për një problem familjar, pas së cilës patrulla ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion palët e përfshira.
Sipas deklarimit të viktimës, A. K, ajo dhe bashkëshorti i saj, M. K, po diskutonin jashtë shtëpisë kur debati ka marrë përmasa më të mëdha. Ajo ka deklaruar se i dyshuari fillimisht e ka ofenduar me tone të larta dhe më pas ka tentuar ta sulmojë me një shishe birre, por pa arritur ta godasë.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Istog, ku testimi me alkoolmetër ka rezultuar se ai kishte konsumuar alkool. Gjatë intervistimit, në praninë e avokatit sipas detyrës zyrtare, ai ka pranuar se mes tyre kishte pasur sharje reciproke, por ka mohuar sulmin me shishe, duke deklaruar se vetëm e kishte shtyrë bashkëshorten pas një situate që, sipas tij, kishte të bënte me djalin e tyre.
Pas trajtimit të rastit, viktima ka shprehur vullnetin që të kthehet në shtëpinë familjare dhe të vazhdojë të jetojë me bashkëshortin.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!