Në Prishtinë është prezantuar drafti i Asociacionit i hartuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Rene Schlee përfaqësues i këtij instituti ka thënë se ky draft është vetëm pikënisje e diskutimeve që duhet të bëhen për zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Duhet të bëjmë përpjekje, gjatë këtij procesi të normalizimit të marrëdhënieve ka pasur shumë raste që është dashur të bëhen draftime të shpejta. Objektivi ynë ka synim lehtësimin e diskutimeve duke u bazuar në propozimin konkret. Nuk ka pasur shumë progres, deri sot askush nuk ka prezantuar një propozim konkret”, ka thënë ai në konferencë.
Kurse, Egzon Osmanaj, koordinator i projektit ka thënë se një nga pikat kyçe të procesit është marrëveshja e vitit 2013.Sipas tij, drafti ka qenë produkt i FES-it dhe Institutit Evropian për Paqe.
“Ka pasur tendenca me e ndërlidh me faktorë tjerë se ka qenë e porositur prej dikujt. Rrjedhja e drafteve ka shtuar presionin tek koleget tanë. Kemi dashur të jemi transparent dhe të hapur. Terminologjia e përdorur bazohet në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kuadrin ligjor të saj. Që të jetë më përfshirës kemi organizuar seri të punëtorive me të cilët kemi diskutuar me ekspertë, akademikë dhe të gjitha diskutimet janë përfshi aq sa kemi pasur mundësi”, ka thënë ai.