I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka pasur përparim lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, Escobar është shprehur se ka një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit Albin Kurti, për të pranuar këtë detyrim ligjor.
Ai ka thënë se pret një propozim konkret lidhur me këtë çështje deri më 2 maj, kur kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takimin e radhës në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, ka thënë Escobar.
Ai ka shtuar se Asociacioni është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për Qeverinë e tanishme të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, që ta pranonte si të detyrueshme.
“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, ka thënë Escobar.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që disa parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me kushtetutën, por që mund të harmonizohen.
Megjithatë, Qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e asociacioneve njëenitike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.
Pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, Kosova është zotuar për të krijuar një “nivel të vetëmenaxhmit” për serbët.