image Escobar: Është koha për të formuar Asociacionin

Politikë

Escobar: Është koha për të formuar Asociacionin

news image

SHBA pret që Beogradi dhe Prishtina të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu ka deklaruar i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili vlerësoi se ka ardhur koha të formohet asociacioni, raporton Tanjug.

“Ne presim propozime fillestare për formimin e asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, shtoi ai për mediumin serb, Tanjug.

Më 18 prill, Bashkimi Evropian ka formuar një Komision të Përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, në takimin e tyre në Ohër, më 18 mars.

Siç është bërë e ditur nga Brukseli, Komisioni do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Belgjikë, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviq.

“Detyra e Komisionit të Përbashkët është që të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e zbatimit të saj”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Formimi i Komisionit të Përbashkët është paraparë në aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar për tekstin e kësaj marrëveshjeje në një takim të zhvilluar më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa në bisedimet në Ohër ata janë marrë vesh për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, ata nuk kanë nënshkruar asgjë.

/GazetaSinjali/