image Erë lufte në Idlib të Sirisë, përfshihet Erdogani

Botë

Botë/ Erë lufte në Idlib të Sirisë, përfshihet Erdogani

news image

Kurrë më parë nuk ka qenë situata më e tensionuar në Idlib të Sirisë. Ushtria turke po kërkon të forcojë pikat e vëzhgimit në këtë rajon. Por flota ajrore siriane sulmoi një prej karvanëve turq. Tashmë të dy ushtritë e armatosura rëndë janë përballë dhe pyetja është: A do ketë një luftë mes Assad dhe Erdogan në Idlib?

Për të kuptuar situatën, duhet të mësojmë se çfarë ka ndodhur të hënën.

Turqia pretendon se një sulm ajror i qeverisë siriane, që kishte për qëllim të ndalonte një autokolonë turke, ka shkaktuar tre viktima civilë. Autokolona po shkonte në qytetin e Idlibit, të kontrolluar nga rebelët.

Idlibi është një prej pak zonave që nuk është nën kontrollin e qeverisë, por ku nuk duhet të ketë luftime sipas një marrëveshje të vitit të shkuar. Megjithatë sulmet qeveritare siriane janë shtuar që prej prillit. Qindra civilë janë vrarë dhe ekziston frika se situata do përshkallëzohet dhe shumë të tjerë do vdesin.

Por përse po dërgon Turqia një karvan në Siri?

Ankaraja mbështet disa prej rebelëve, por jo të gjithë në Idlib. Turqia ka forcat e saj në terren si pjesë e një marrëveshje me Rusinë gjatë vitit të shkuar. Një korrespondent i AFP tha se kolona kishte më shumë se 50 mjete të blinduara. Të paktën pesë ishin tanke. Por Siria thotë se mbërritja e këtij karvani në rajon është një akt agresioni. Sipas BBC, edhe një avion rus ka kryer sulme pranë karvanit më 19 gusht. Turqia thotë se sulmi thyen marrëveshjen e vitit të shkuar. Ekspertët druhen se ekziston frika për përplasje direkte mes vendeve.

Përse po ndodh tani kjo përplasje?

Pas tetë vitesh luftë, qeveria siriane po tenton të rimarrë kontrollin edhe në zonat e fundit të kontrolluara nga rebelët. Forcat qeveritare siriane mbështeten nga Rusia dhe tashmë kanë hyrë në rrethinat e qytetit Khan Sheikhoun. Nëse e marrin nën kontroll këtë qytet, ku pati sulm me gaz sarin në vitin 2017, atëherë do të thotë se regjimi sirian ka rrethuar të gjithë zonën e kontrolluar nga rebelët, ku ndodhet edhe një postë vëzhguese turke. Erdogan kërkon ta shmangë me çdo kusht këtë gjë.

Si nisi lufta në Siri?

Gjithçka nisi në mars të vitit 2011, kur protestuesit pro-demokracisë kërkuan largimin e presidentit Bashar al-Assad. Edhe Turqia kërkoi largimin e tij. Por situata u komplikua pasi regjimi i Assad u vu përballë një numri grupesh rebele, që prej grupimeve pro-demokraci e deri tek xhihadistët ekstremistë. Mendohet se mbi 500 mijë veta kanë vdekur në këtë konflikt, Presidenti Assad dukej se po e humbte kontrollin në fillim, por falë aleatëve si Rusia dhe Irani, tani kontrollon shumicën e territorit. Objektivi i tij mbetet Idlibi. /Sinjali