image Erdogani i bën thirrje Putinit të mos i përshkallëzojë tensionet në Ukrainë

Politikë

Erdogani i bën thirrje Putinit të mos i përshkallëzojë tensionet në Ukrainë

news image

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje homologut të vet rus, Vladimir Putin, të mërkurën, të mos i përshkallëzojë më shumë tensionet, pasi Moska i sulmoi me dronë objektet jetike për eksportimin e drithërave nga Ukraina.

Erdogani luajti rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes tashmë të prishur për eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe e ka pozicionuar veten si ndërmjetësues në konflikt.

Lideri turk tha se “nuk duhet të merret asnjë hap i cili do t’i përshkallëzonte tensionet në luftën Rusi-Ukrainë”.

Ai e nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes së drithërave, të cilën ne quajti “ura për paqe”, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës turke.

Ujdia, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia mundësonte Ukrainës të eksportojë drithëra përmes porteve të saj në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Moska u tërhoq nga ajo.

Sulmet ruse me dronë i kanë dëmtuar objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës, thanë autoritetet ukrainase më 2 gusht.

Si pasojë e sulmeve ruse, një depo drithi, silose drithi dhe magazina tjera drithi u dëmtuan apo shkatërruan, thanë prokurorët ukrainas.

Erdogani i tha Putinit se pasiviteti afatgjatë i marrëveshjes së drithërave “nuk do t’i bëjë dobi askujt”, dhe se vendet në nevojë do të vuanin më së shumti, sipas Presidencës turke.

Erdogani tha, gjithashtu, se çmimet e drithërave që ranë për 23 për qind sa ishte në fuqi marrëveshja, u rritën për 15 për qind gjatë dy javëve të fundit.

Ai u zotua se Turqia do t’i vazhdojë me këmbëngulje “përpjekjet intensive” dhe diplomatike për ta kthyer në fuqi marrëveshjen.

Dy liderët po ashtu u pajtuan për një vizitë të Putinit në Turqi, sipas zyrës së Erdoganit, e cila nuk tregoi ndonjë datë të caktuar, megjithatë.

/GazetaSinjali/