Erdogan u bën thirrje Suedisë dhe Finlandës të përmbushin premtimet e marrëveshjes së NATO-s.
Vetëm dy ditë pasi ra dakord për të hequr veton ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, udhëheqësi i Turqisë paralajmëroi të enjten se Ankaraja mund të bllokojë ende procesin nëse të dy vendet nuk arrijnë të përmbushin plotësisht pritshmëritë e tij.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka kërkuar Suedisë dhe Finlandës të respektojnë marrëveshjen që nënshkruan me Ankaranë në mënyrë që të fitojnë mbështetjen e saj për anëtarësimin e tyre në NATO, duke thënë se marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht, përndryshe ratifikimi i kërkesave të anëtarësimit nuk do t’i dërgohet parlamenti turk, shkruan REL.
“Ne kemi theksuar fuqishëm mesazhin se presim solidaritet të vërtetë nga aleatët tanë, jo vetëm me fjalë por edhe me veprime”, u tha Erdogan gazetarëve në samitin e NATO-s, në të cilin vendet nordike u ftuan zyrtarisht për t’u bashkuar me bllokun ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja.
Ai përmendi zotimin e Stokholmit për ekstradimin e 73 “terroristëve” si pjesë e premtimeve të bëra ndaj Ankarasë dhe e përshkroi nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe si njohje të ndjeshmërisë së qeverisë së tij rreth “terrorizmit” dhe një “fitore diplomatike” për Turqinë.