image Erdogan mbështet Pakistanin pas sulmeve indiane: Do të bëjmë çmos për të parandaluar përshkallëzimin

Evropë

Erdogan mbështet Pakistanin pas sulmeve indiane: Do të bëjmë çmos për të parandaluar përshkallëzimin

news image

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, pas sulmeve të fundit ajrore të Indisë ndaj territorit pakistanez.

Sipas raportimeve nga Anadolu Agency, biseda mes dy liderëve është përqendruar në zhvillimet e fundit dhe përshkallëzimin e tensioneve midis Indisë dhe Pakistanit. Presidenti turk ka shprehur mbështetjen e plotë për popullin pakistanez.

“Turqia mbështet politikën e qetë dhe të moderuar të Pakistanit në këtë proces”, është shprehur Erdogan, duke shtuar më tej se, “Turqia është e gatshme të bëjë çmos për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe se do të vazhdojë kontaktet diplomatike për këtë çështje”.

Nga ana tjetër, Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif e ka falënderuar Erdoganin për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar, duke e cilësuar atë si “vëlla i dashur”.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Pakistanit janë të njohura për afërsinë dhe partneritetin strategjik.

Në vijim të qëndrimit të saj, të mërkurën, edhe Ministria e Jashtme turke reagoi ashpër ndaj veprimeve të Indisë, duke theksuar se “sulmet me raketa të Indisë mbi Pakistanin dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani rrisin rrezikun e një lufte të përgjithshme”.

Kujtojmë se Forcat e Armatosura të Indisë kanë ndërmarrë një seri sulmesh ajrore ndaj nëntë lokacioneve në territorin pakistanez, duke shkaktuar viktima dhe tensione të larta në rajon.

Këto sulme erdhën pas një sulmi të përgjakshëm muajin e kaluar në Kashmirin indian, ku mbetën të vrarë 36 persona. India fajëson Pakistanin për këtë akt, duke pretenduar se sulmi ishte organizuar nga grupe terroriste me bazë në Pakistan.

Ministri i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri, në një deklaratë për mediat, tha se objektivi i operacioneve ajrore ishte “çaktivizimi i infrastrukturës së grupeve terroriste në territorin pakistanez”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/