“SINJALI” është gazeta më e re online që sot, më 01 gusht 2019, po i shtohet skenës mediale në Kosovë.
Kemi vendosur ta emërtojmë “SINJALI” sepse përkushtimi ynë është të jemi sinjal i së mirës dhe së keqes për këdo dhe kurdo, duke shërbyer me profesionalizëm, objektivitet dhe etikë, pa ia mohuar të drejtën askujt për t`i kontribuuar së vërtetës.
Pse “SINJALI”?
“SINJALI” po hyn në tregun medial, në partneritet të ngushtë me qytetarin, si hallka kryesore mbi të cilin rendojnë problemet dhe si sinjalizuesi kryesor i së mirës dhe së keqes.
“SINJALI” do të ketë sinjalizues në çdo cep të Kosovës dhe jo vetëm. Përmes një rubrike të veçantë, qytetarët do të kenë mundësinë të dërgojnë foto, video dhe informata ekskluzive dhe për çdo sinjalizim të publikuar në Sinjali.com, qytetarët do të kompensohen për kontributin e tyre.
“SINJALI” do të zbatojë ligjet e aplikueshme dhe me rigorozitet do të ruaj identitetin e sinjalizuesit, sidomos në rastet kur ata ofrojnë informata sensitive dhe kërkojnë anonimitet.
“SINJALI” do të jetë i pakompromis në raportimin e së vërtetës dhe fakteve që e përbëjnë atë. Përmes kësaj ure të bashkëpunimit, e vërteta do të raportohet ashtu siç është, e zhveshur nga çfarëdo ngjyrimi ose raportimi tendencioz, me qëllimin e vetëm që t`i kontribuohet përmirësimit të jetës së qytetarëve, ngritjes së nivelit të transparencës e llogaridhënies deri në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes.
“SINJALI”, i përbërë nga gazetarë me përvojë dhe të rinj, i falënderon të gjithë lexuesit dhe mbetet i hapur për çdo vërejtje dhe sugjerim në këtë rrugëtim të përbashkët.
Na priftë e mbara!