Goditet një veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të mjeteve motorike nga Gjermania në Shqipëri. Operacioni policor i koduar “Luxury Cars”, ka çuar në pranga një person i cili trafikonte automjete të vjedhura, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër shtetas shqiptar, si përkrahës i autorit në trafikimin e automjeteve.
Policia thotë se “falë një pune të mirë organizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë një automjet i tipit “Lamborghini Huracán”.
Nga shteti gjerman më datë
30.07.2019, ky mjet është deklaruar i
vjedhur. Shërbimet e Policisë pas kontrolleve të kryera, kanë konstatuar automjetin
dhe menjëherë kanë bërë bllokimin e tij.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38
vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Stuttgart të Gjermanisë, si i dyshuar për
kryerjen e veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Pastrimi i produkteve
të veprës penale”.
Policia shpalli në kërkim
për të njëjtat vepra penale, shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani
(bashkëpunëtor). Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së
automjetit luksoz në Gjermani me qëllim të shitjes së tij në Shqipëri.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar
automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili ka një vlerë monetare rreth 250.000
euro.
Materialet e para
procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë,
për veprime të mëtejshme./Sinjali/